Kosova

Osmani në Bruksel kërkon heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës

Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se shpreson që së shpejti të hiqen në tërësi masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian vendosi ndaj Kosovës më 2023.

Këto deklarata ajo i bëri gjatë takimit me presidentin e Këshillit të BE-së, Antonio Costa, në Bruksel, në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Një ditë më parë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se është njoftuar nga Komisioni Evropian se ky institucion “ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës”.

Sipas Bislimit bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë eurosh.

“Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë e punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi. Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim e përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian”, shkroi Osmani në Facebook.

Sipas presidentes së Kosovës, vendi ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga blloku evropian, prandaj “nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura”.

BE-ja kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Blloku evropian ka nisur heqjen graduale të tyre, por zyrtarët në Kosovë insistojnë se vazhdimi i tyre është vendim i padrejtë dhe kushtet janë plotësuar, dhe Osmani vazhdimisht ka bërë thirrje për heqjen e tyre.

Situata në veri është shtensionuar, prania e Policisë afër objekteve komunale në veri është zvogëluar dhe kalimi paqësor i pushtetit në komunat me shumicë serbe është realizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë