Menaxhim

Shqipëria planifikon ngritjen e 20 qendrave pritëse për emigrantët

Nga Gazeta Si- Deri në  2028, Shqipëria parashikon ngritjen e mbi 20 qendrave/ambienteve pritëse në tre qarqe, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë. Këto qendra do shërbejnë si pritëse për emigrantët nga Afganistani, Pakistan, Irani, Siria, Libani dhe Gaza, të cilët përdorin Shqipërinë si rrugë kalimi drejt Greqisë.

Në projektvendimin “Për miratimin e Planit Kombëtar të Kontigjencës për flukset e përziera migratore 2026–2028” thuhet se për të ngritur këto qendra do të ngrihen në struktura ekzistuese publike, hapësirat e braktisura apo truall të lirë.

Në qarkun e Korçës parashikohet ngritja e disa strukturave të akomodimit emergjent. Në Bashkinë Korçë do ketë qendër në fshatin Floq, në ambientet e ish-TAP. Në Bashkinë Pogradec, do ngrihen qendra me kapacitet të konsiderueshëm. Në Devoll, hapësirat e qytetit Bilisht dhe të fshatit Bitinckë ofrojnë gjithsej mbi 11.500 m². Në Maliq parashikohet shfrytëzimi i ish-depove të Rezervave Shtetërore në Lozhan, ndërsa në Pustec janë tre hapësira: Njësia Zaroshkë, fusha sportive e Pustecit dhe fusha sportive e Goricës së Vogël. Në total, Korça përfshin të paktën 10 pika akomodimi emergjent.

Në qarkun e Gjirokastrës, fokusi është vendosur mbi rikonfigurimin e strukturave ekzistuese, kryesisht ish-Rezervat Shtetërore. Në Memaliaj, pranë Stadiumit “Karafil Çaushi” është parashikuar vendosja e strukturave të përkohshme, ndërsa në Përmet janë evidentuar spitali i qytetit dhe konviktet, që mund të akomodojnë deri në 102 shtretër. Në këtë qark parashikohen të paktën tre pika pritjeje, të cilat mund të shtohen në varësi të vlerësimeve të infrastrukturës.

Në Vlorë është parashikuar një shpërndarje më e gjerë e kapaciteteve. Në Bashkinë Vlorë janë identifikuar disa hapësira kryesore: konviktet e “Qytezës së Studentit” dhe të Shkollës Industriale, si dhe objekte që mund të përshtaten për akomodim si Pallati i Sportit “Flamurtari”, Shkolla e Marinës dhe zyrat e Njësisë Administrative Novoselë. Secila prej këtyre hapësirave ka kapacitet deri në 300 persona. Në Selenicë, fshati Peshkopi ofron një terren me kapacitet deri në 250 persona. Në Delvinë është identifikuar stadiumi i qytetit. Në Himarë janë parashikuar stadiumi dhe ambientet e shkollave publike, ndërkohë që vijon procesi i vlerësimit për hapësira të tjera. Në Konispol, tre shkolla dhe Qendra Komunitare në Mursi ofrojnë një kapacitet total prej rreth 410 personash.

Për fëmijët e huaj të pashoqëruar, deri në vitin 2026 do të ngritet një qendër e re pritëse që do të ofrojë shërbime psiko-sociale dhe mjekësore.

Kapacitetet pritëse të Shqipërisë për menaxhimin e flukseve migratore janë të përqendruara kryesisht në disa zona të caktuara, duke krijuar një mbulim jo të balancuar në nivel territorial. Struktura më e madhe është Qendra e Pritjes për Azilin në Tiranë, e cila ofron akomodim për deri në 250 persona që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.

Përveç kësaj, ekzistojnë qendra të tjera regjistrimi dhe akomodimi të përkohshëm, si ato në Gërhot, Kakavijë dhe Kapshticë, të cilat ofrojnë akomodim për 10 orë.

Plani Kombëtar parashikon shpenzime për paga, shpenzime korrente dhe investime dhe kostoja parashikohet të variojë nga 195,6 mln lekë që është skenari normal deri në 708.7 mln lekë që parashikohet kostoja për ngritjen e qendrave në rast krize.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë