Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka prishur vendimin për Ilir Selmanin dhe Elvis Gaçajn, të dy të dënuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko të ndodhur në gusht të vitit 2019.
Ilir Selmani u dënua në 16 nëntor të vitit 2023 me vendim të formës së prerë 28 vite burg, ndërsa vendimi i shkallës së parë për Elvis Gaçaj u prish në atë kohë nga Apeli i Posaçëm, i cili vendosi të rikthente edhe njëherë çështjen për rigjykim në GJKKO.
Gaçaj ndodhet në burg, pasi u arrestua në janar të vitit 2024 me armë zjarri me vete, ndërsa më herët ka qenë i dënuar disa herë për armëmbajtje pa leje, lëndë narkotike, vrasje dhe për vjedhje me dhunë.
Për vrasjen e Santiago Malko po gjykohet edhe Leonard Duka, i cili është në fazën përfundimtare të mbrojtjes. Ndërkohë, një ditë më parë Apeli rikonfirmoi edhe njëherë dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën, një tjetër person i përfshirë në vrasjen e ish policit.
Santiago Malko, ish-punonjës policie, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 me breshëri plumbash në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë.
Malko u largua nga detyra si polic pasi u arrestua pas një sherri për lojërat e fatit. Ishte një emër jo pak i njohur për autoritetet, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale.
Emri i tij doli në skenë në tetor 2018, ku i plagosur mbeti miku i tij Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash. Malko dyshohej se ishte i përfshirë në disa ngjarje kriminale
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



