Nga Gazeta ‘SI’ – Kreu i PD-së Sali Berisha vijoi sot me foltoren e radhës, kësaj here me demokratët e Mirditës.
Në fjalën e tij kryedemokrati sulmoi kryeministrin Rama si një armik të egër të mirditorëve dhe shqiptarëve.
“Në histori nuk ka një pushtues mizor, një diktator, regjim që të ketë zhbërë shqiptarët, kombin në 10 vite sa Edi Rama. Mbyllni sytë dhe kujtoni fshatrat e Mirditës, ku janë njerëzit, nxënësit, ku janë fëmijët. Si kjo është e gjithë Shqipëria. Në 10 vite jemi zhbërë sa kurrë në ekzistencën tonë. Sot ne kemi atë shtesë popullate që kishim kur ishim 700 mijë vetë. Sot Mirdita ka lindshmërinë më të ulët prej emigracionit. Çdo vit me këtë ritëm ne pakësohemi për të mbetur, ne ecim drejt shfarosjes së plotë nga ky regjim”, tha Berisha.
Ndonëse nuk foli drejtpërdrejt për takimet e ish-deputetit Ervin Salianji me demokratët në Durrës, Berisha dha një mesazh të qartë, që PD është parti e hapur por me rregulla, teksa theksoi se takimet jashtë forumeve konsiderohen private.
“Ne jemi dhe do mbetemi parti e hapur, absolutisht parti e fjalës së lirë dhe mendimit të lirë. Në këtë parti, çdokush do të ketë të drejtë të votojë kundër. Por, si çdo parti tjetër, është një parti me rregulla që vendosen bashkarisht dhe nuk mundesh kurrë të imponohesh në atë mënyrë. E kam fjalën këtu secili nga demokratët çfarëdo lloj gjëje që duhet të ketë, duhet ta thotë pa asnjë ndrojtje, por brenda forumeve”, tha kreu i PD-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



