Kritikët e quajnë “shpërndarje makinash”. Në Mbretërinë e Bashkuar dhe në të gjithë Europën, makinat po bëhen vazhdimisht më të gjata, më të gjera dhe më të rënda. Konsumatorët i pëlqejnë ato, shumë. Makinat e mëdha shihen si praktike, të sigurta dhe me stil, dhe shitjet po rriten. Por, pse disa qytete janë të vendosura t’i ndalojnë ato dhe a kanë të drejtë ta bëjnë këtë?
Parisi është i njohur për shumë gjëra. Monumentet e tij, siç janë Kulla Eiffel dhe Harku i Triumfit. Rrugët dhe bulevardet e tij të gjera me gjethe, muzetë dhe galeritë e artit, kuzhinën e mirë. Dhe trafikun e tij vërtet të tmerrshëm.
Gjatë 20 viteve të fundit, autoritetet e qytetit janë përpjekur ta zgjidhin problemin, duke futur zona me trafik të ulët dhe emetime të ulëta, duke promovuar transportin publik dhe çiklizmin dhe së fundmi duke shtrënguar tregun e makinat e mëdha.
Në tetor 2024, tarifat e parkimit në rrugë për automjetet “e rënda” u trefishuan pas një votimi publik, duke i çuar ato nga 6 euro në 18 euro për një qëndrim njëorësh në qendër, dhe nga 75 euro në 225 euro për gjashtë orë.
“Sa më e madhe të jetë, aq më shumë ndot”, tha kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, para votimit. Kufizimet e reja, pretendoi ajo, do të “përshpejtojnë tranzicionin mjedisor, në të cilin po merremi me ndotjen e ajrit”.
Disa muaj më vonë, bashkia deklaroi se numri i makinave shumë të rënda që parkohen në rrugët e qytetit kishte rënë me dy të tretat.
Vende të tjera po e marrin parasysh këtë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Këshilli i Kardif, Ëales ka vendosur tashmë të rrisë koston e lejeve të parkimit për makinat që peshojnë më shumë se 2,400 kg, ekuivalenti i afërsisht dy Ford Fiesta.
Autoriteti i kontrolluar nga Partia Laburiste tha se këto automjete më të rënda zakonisht prodhojnë më shumë emëtime, shkaktojnë konsumim më të madh në rrugë dhe paraqesin një rrezik më të lartë në rast të një përplasje.
Për të filluar, tarifat më të larta do të zbatohen vetëm për një pakicë të vogël modelesh automjetesh, por Kardif planifikon të ulë pragun e peshës me kalimin e kohës. Autoritete të tjera lokale po shqyrtojnë hapa të ngjashëm.
Por shumë pronarë thonë se varen nga makinat e mëdha.
Matt Mansell, baba i tre fëmijëve në Guildford, drejton një kompani teknologjike, si dhe një biznes zhvillimi pronash, dhe thotë se i duhet Land Rover Defender 110 i tij për të transportuar klientë dhe fëmijë.
“Më duhet të kem hapësirë të mjaftueshme për të vendosur fëmijë, me të gjitha pajisjet e tyre, gjithashtu, mund të vendosësh një derë ose një tub një metër të gjatë në të,” thotë ai.
‘Traktorët e Chelseat’: Ngritja e SUV-ve
Nuk ka dyshim se makinat në Mbretërinë e Bashkuar dhe Europë janë bërë gjithnjë e më të mëdha me kalimin e viteve. Që nga viti 2018, gjerësia mesatare e modeleve të reja në shitje është rritur nga 182 cm në 187.5 cm, sipas të dhënave nga Thatcham Researchm një organizatë që vlerëson makinat e reja.
Ndërkohë, pesha mesatare është rritur nga 1,365 kg në 1,592 kg gjatë së njëjtës periudhë.
Ky nuk është vetëm një fenomen i kohëve të fundit. Të dhënat e mbledhura nga Këshilli Ndërkombëtar për Transport tregojnë se gjerësia mesatare e makinave në tregjet europiane është rritur me gati 10 cm midis viteve 2001 dhe 2020. Gjatësia është rritur me më shumë se 19 cm.
Disa kritikë argumentojnë se ky është një trend shqetësues, sepse thjesht nuk ka hapësirë të mjaftueshme në rrugët e mbushura me njerëz, shpesh të ngushta.

Gjerësia minimale standarde e një hapësire parkimi në rrugë është 1.8 m në shumë vende. Por shifrat e publikuara nga T&E, një grup fushatash për transportin e gjelbër, sugjerojnë se deri në gjysmën e parë të vitit 2023, më shumë se gjysma e 100 makinave më të shitura në Mbretërinë e Bashkuar ishin pak më të gjera se kjo.
Pastaj është popullariteti në rritje i Automjeteve Sportive Utility, ose SUV-ve. Edhe ose janë krijuar për të funksionuar jashtë qyteteve, shumica dërrmuese nuk largohen kurrë nga asfalti, prandaj ka ardhur edhe nofka e tyre mjaft qesharake: Traktorët Chelsea.
Ekzistojnë shumë dizajne të ndryshme, duke përfshirë modele të dobishme që mund të përdoren për jashtë rrugës, makina luksoze dhe familjare.
Megjithatë, e gjithë ajo që kanë të përbashkët është madhësia. Edhe versionet më të vogla “crossover”, më të lidhura ngushtë me makinat konvencionale, kanë tendencë të jenë më të larta dhe më të gjera se sedanët apo hatchback.
Në vitin 2011, SUV-të përbënin 13.2% të tregut në 27 vende europiane, sipas kompanisë kërkimore të automobilave Dataforce GmbH. Deri në vitin 2025, pjesa e tyre e tregut ishte rritur në 59%.
Rachel Burgess, redaktore e revistës Autocar, beson se është madhësia e tyre që i bën ato kaq të njohura.
“Të gjithë ata me të cilët kam folur gjatë viteve që kanë blerë një SUV thonë se u pëlqen të jenë më lart, u pëlqen shikueshmëria më e mirë dhe ndihen më të sigurt në autostrada dhe rrugë më të mëdha”, thotë Burgess.
Makina më të mëdha, marzhe fitimi më të mëdha?
Popullariteti i SUV-ve nuk vlen vetëm për prodhuesit e makinave në treg masiv. Porsche është i famshëm për makinat e saj sportive elegante, por SUV Cayenne dhe crossover Macan janë modelet e saj më të shitura.
Bentayga SUV i Bentley përbënte 44% të shitjeve të saj vitin e kaluar, ndërsa Lamborghini mbështetet gjithnjë e më shumë në Urus-in e saj.
Thënë troç, konsumatorët i duan SUV-të. Ndërkohë, prodhuesit e makinave janë shumë të lumtur ta përmbushin këtë kërkesë, sepse ndërtimi i makinave më të mëdha mund të jetë më fitimprurës, argumenton David Leggett, redaktor i faqes së internetit të inteligjencës industriale Just Auto.
“Marzhet e fitimit janë përgjithësisht shumë më të larta në makinat më të mëdha me çmime më të larta. Kjo është kryesisht për shkak të ligjeve të ekonomisë në prodhim.”
Ai thekson se ka kosto themelore të përfshira në ndërtimin e çdo makine, për shembull, funksionimi i një fabrike, puna e projektimit dhe çmimi i komponentëve kryesorë.
Por ai shpjegon se me makinat e vogla, këto kosto mund të përbëjnë një pjesë më të lartë të çmimit të shitjes.
Daniele Ministeri, konsulent i lartë në JATO Dynamics, thekson se shumë SUV janë të lidhura ngushtë me makinat konvencionale dhe përdorin të njëjtat struktura bazë.
“Për disa modele, ndryshimet kryesore kufizohen në faktorë të tillë si stili i karrocerisë, pozicioni i ulëseve, duke u lejuar atyre të kërkojnë një çmim premium të SUV-ve, pa rritje të krahasueshme të kostos”, thotë ai.
Debati për sigurinë
Edhe makinat konvencionale janë bërë më të mëdha në disa raste.
Si për shembull modeli aktual VË Golf, i cili është 18 cm më i gjerë dhe 26 cm më i gjatë se versioni origjinal i prezantuar në vitet 1970. Është gjithashtu shumë kilogramë më i rëndë.
“Nëse shikojmë prapa në fillim të viteve 2000, programet e sigurisë si Euro NCAP sapo kishin filluar t’ua përcillnin mesazhin e sigurisë konsumatorëve, automjetet më të vogla nuk ishin në gjendje ta thithnin fare mirë energjinë e një përplasjeje”, thotë Alex Thompson, inxhinier kryesor i sigurisë në Thatcham Research.
“Ndërsa masat e sigurisë janë përmirësuar, një sasi e caktuar peshe është dashur t’u shtohet automjeteve për të forcuar ndarjet e sigurisë, sepse ato nuk ishin aq të forta atëherë.”

“Prodhuesit kanë pasur nevojë të bëjnë gjëra të tilla si përmirësimi i mbrojtjes strukturore nga përplasjet dhe vendosja e më shumë jastëkëve të ajrit”, pajtohet David Leggett, duke shtuar se në të njëjtën kohë, ata duan të përmirësojnë hapësirën e brendshme të kabinës dhe të vendosin më shumë karakteristika në automjete, kështu që rezultati neto është rritja e presionit për dimensione më të mëdha të automjeteve.”
Megjithatë, ndërsa makinat më të mëdha mund të jenë më të sigurta për pasagjerët e tyre, kritikët këmbëngulin se ato janë dukshëm më pak të sigurta për përdoruesit e tjerë të rrugës.
“Pavarësisht nëse jeni në një makinë tjetër ose një këmbësor, ka më shumë të ngjarë të lëndoheni rëndë nëse ka një përplasje me një nga këto automjete”, argumenton Tim Dexter, menaxher i politikave të automjeteve në T&E. Ai është gjithashtu i shqetësuar për pasojat për çiklistët.
Hulumtimi i kryer në vitin 2023 nga Instituti Vias i Belgjikës, i cili synon të përmirësojë sigurinë rrugore, sugjeroi që një rritje prej 10 cm në lartësinë e kapakut të një makine mund të rrisë rrezikun e vdekjes së përdoruesve të rrugës në një përplasje me 27%.
Alex Thompson thotë se makinat më të larta dhe më të mëdha kanë më shumë të ngjarë të dëmtojnë këmbësorët dhe çiklistët, megjithëse ai thekson se dizajni i automjeteve në vitet e fundit ka “përparësi” mbrojtjen e këmbësorëve.
Disa prodhues, për shembull, kanë vendosur airbag të jashtëm në automjetet e tyre.
Sa i përket ndikimit mjedisor, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka thënë se pavarësisht përparimeve në efikasitetin e karburantit dhe elektrifikimin, tendenca drejt automjeteve më të rënda dhe më pak efikase siç janë SUV-të, të cilat lëshojnë afërsisht 20% më shumë emetime sesa një makinë mesatare e mesme, ka anuluar kryesisht përmirësimet në konsumin e energjisë dhe emetimet e arritura diku tjetër në flotën e makinave në dekadat e fundit.”
Dhe shqetësime të tjera në lidhje me madhësinë dhe peshën do të vazhdojnë të vlejnë, në fakt, me makinat elektrike që përgjithësisht peshojnë dukshëm më shumë se ekuivalentët e tyre me benzinë ose naftë.
Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtarëve të Motorëve thotë se 40% e SUV-ve tani janë me zero emetime.
Drejtori i saj ekzekutiv, Mike Haëes, ka thënë më parë se në përgjithësi emetimet e dioksidit të karbonit të SUV-ve të rinj janë më shumë se përgjysmuar që nga viti 2000, “duke ndihmuar segmentin të udhëheqë dekarbonizimin e lëvizshmërisë rrugore në Mbretërinë e Bashkuar”.
Gabimet, taksat dhe modeli i Francës
Por nëse do të ketë një kufizim, një mundësi është ajo që është bërë tashmë në të gjithë Kanalin.
Franca tashmë vendos taksa shtesë regjistrimi për makinat që peshojnë më shumë se 1,600 kg. Aktualisht, kjo do të thotë një gjobë prej 10 € për çdo kilogram shtesë. Gjoba rritet në grupe, duke arritur në 30 € për kg mbi 2,100 kg.
Ndërsa zbatohet vetëm për një pjesë relativisht të vogël të modeleve aktuale dhe automjetet elektrike përjashtohen, ajo mund të shtojë deri në 70,000 € në koston e blerjes së një makine të re.
T&E argumenton se një taksë e ngjashme duhet të futet në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas Tim Dexter, “Për momentin, Mbretëria e Bashkuar është një parajsë fiskale për këto automjete të mëdha… Ne e dimë ndikimin që ato po kanë në rrugë, në komunitete, potencialisht në individë. Është e drejtë që ata të paguajnë pak më shumë.”
David Leggett beson se njerëzit potencialisht mund të inkurajohen të blejnë automjete më të vogla, veçanërisht për përdorim në qytete.
“Ekzistojnë mundësi për të ndryshuar regjimet tatimore për t’i bërë makinat më të vogla relativisht tërheqëse”, thotë ai.
Por sigurimi që të ketë mjaftueshëm makina për të qarkulluar mund të jetë i ndërlikuar.
“Gjithmonë do të ketë një treg për makina qyteti shumë të manovrueshme dhe me kosto të ulët në zonat urbane, por prodhimi i tyre me fitim është një sfidë e madhe”, thotë Leggett.
Megjithatë, disa automjete të vogla elektrike me çmim relativisht të ulët kanë dalë së fundmi në treg, duke përfshirë Dolphin Surf të BYD, T03 të Leapmotor International, Inster të Hyundai dhe Renault 5 të ri. Atyre do t’u bashkohen së shpejti EV2 e Kia dhe ID Polo e VW.
Megjithatë, për momentin, SUV-të mbeten fuqimisht në krye.
“Është e qartë se njerëzit duan SUV, dhe nuk jam e sigurt se cila është përgjigjja për këtë,” thotë Rachel Burgess.
“Por makinat e vogla po kthehen, pasi industria ka kuptuar se si të fitojë para nga makinat e vogla në një botë elektrike… Unë besoj se gjithçka është ciklike dhe trendet vijnë e shkojnë në çdo pjesë të jetës, duke përfshirë makinat. SUV-të nuk do të jenë këtu përgjithmonë.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



