Kosova

Paralizohet transporti publik në Prishtinë, LVV: Opozitarizëm në kurriz të qytetarëve!

Nga Gazeta ‘Si’- Transportuesit privatë në Prishtinë kanë dalë në protestë sot pas vendimit për të pezulluar të gjitha linjat për shkak të mospagesës nga komuna.

Atyre iu janë bashkuar edhe punonjësit e “Trafikut Urban” dhe kërkojnë zgjidhje për problemet e vazhdueshme me pagesat.

Protestës i është bashkuar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka shprehur mbështetje për kërkesat e transportuesve duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë për të zgjidhur krizën financiare që po ndikon edhe në funksionimin e transportit publik në kryeqytet.

 “Më vjen shumë keq se në çfarë niveli na ka sjellë kjo qeveri me bllokadë dhe e ndjej shumë për të gjithë këta punëtorë këtu që janë të papaguar për punën që e keni bërë për gjithë këta muaj për me i shërbyer qytetarëve të kryeqytetit, përkundër sabotazheve, bllokadave. E di që edhe ne, sikur ju, sikur me pas rrogën tënde në bankë, e një zyrtar i bankës atje mos me t’i lëshura paret.

Kështu edhe qeveria po bën ndaj komunës. Paratë tona, të cilat i kemi të gatshme, nuk po na i lëshon për me i kry detyrimet tona ndaj jush. Prandaj, problemi është atje”, tha Rama.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, protestën e transportuesve para ndërtesës së qeverisë e ka cilësuar “opozitarizëm në shpinë të qytetarëve” ndërsa ka hedhur fajin tek subjektet tjera.

“Kur i lutëm që të vinin në seancë për buxhetin 2026, buxhetin e Prishtinës, buxhetin e RTK (Radio Televizioni i Kosovës) e tema të tilla… Ky opozitarizëm i kësaj opozite nuk i bën mirë askujt, nuk ka opozitarizëm në shpinë të qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.

Transportuesit privatë kërkojnë që Qeveria të sigurojë fondet e nevojshme dhe të rregullojë pagesat e vonuara, ndërkohë që protestuesit kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë veprimet e tyre derisa të ketë një përgjigje konkrete nga institucionet.

Problemet me pagesat e shërbimeve në Komunën e Prishtinës kanë ardhur si pasojë e mosmiratimit të buxhetit të komunës.

Ndërkohë, edhe punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë hyrë sot në grevë për shkak të mosmarrjes së pagave. Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar se greva do të zhvillohet çdo ditë nga ora 11:00 deri në 13:00, me pezullimin e punëve në të gjitha sektorët e institucionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë