Gazeta Si – – Një tritol-vënës serial, dyshohet se vepron në zonën e Kamzës, por edhe në Tiranë. Brenda rreth dy muajsh, dy shpërthime ndodhën jo shumë larg kryeqytetit, fillimisht në 19 shtator, në murin rrethues të banesës së deputetit të PD, Xhelal Mziu dhe para dy javësh në një restorant, ku pati dëme të mëdha materiale.
Në rastin e parë, kamerat kanë fiksuar një person që largohet me biçikletë, ndërsa në kokë mban një kapuç (siç shihet në foto).
Policia ende nuk ka ka një identikit të këtij personi, por sipas burimeve paraprake, dyshohet se është i njëjti autor që vendosi edhe lëndën plasëse në restorantin “Perla e Detit” në pronësi të Saimir Sinës në Kamëz para dy javësh.
Gjithnjë sipas informacioneve në rrugë jo zyrtare, kemi të bëjmë me një tritol-vënës serial në këtë zonë, pasi ky person dyshohet se qëndron pas 5 shpërthimeve të tjera me tritol brenda këtij viti jo vetëm në Kamëz, por edhe në zona të tjera të Tiranës.
Kamerat e sigurisë tek të gjitha këto ngjarje, kanë fiksuar të njëjtat lëvizje, autori maskohet si punëtor ose me rroba të errëta dhe me biçikletë largohet nga vendi i ngjarjes.
Ai dyshohet se autori mund të jetë anëtar i grupit të ish-policit, Jeton Lami, i cili u arrestua disa ditë më parë së bashku me Flogert Mzhikën dhe Florin Domin nën dyshimin se i kishin vënë 500 mijë euro gjobë pronarit të restorantit në Kamëz, por ky i fundit nuk kishte pranuar ta paguante.
Shpërthimi me tritol në vilën e Mziut, ndodhi rreth orës 01:00 të 19 shtatorit, duke lënë pas vetëm dëme materiale.
Vila 2 katëshe ku banon deputeti demokrat është e rrethuar me mur dhe kangjella, territor brenda të cilit ndodhen edhe disa vila të vëllezërve e familjarëve të tij.
Ndërsa shpërthimi me tritol në restorantin “Perla e Detit” ndodhi më 15 nëntor, por u zbardh një ditë më pas.
Tre persona u arrestuan, ish-polici Jeton Lami ( i njohur edhe per njohjen me Ervis Martinajn, ishte personi i fundit që u pa nën shoqërinë e tij para se të zhdukej në vitin 2022), Florin Domi dhe Flogert Mëzhika. Në kërkim u shpall Ervis Lami, një person me rekorde të theksuara kriminale, dhe një tjetër. Por pas dy ditësh, Gjykata e Tiranës zbuti masën e sigurisë ndaj Lamit, duke e lënë në “arrest shtëpie”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



