Nga Gazeta ‘SI’ – Paqja Fiskale ka sjellë debate në seancën plenare midis deputetëve opozitarë dhe minstrisë së Financave.
Deputeti Agron Shehaj ngriti shqetësimin se kjo nismë, që zgjeron bazën e tatueshme për bizneset dhe lejon rishikimin e deklaratave të mëhershme, krijon hapësira për pastrimin e parave të pista dhe në këmbim paguan një normë tatimi më të rritur.
“Paqja legalizon paratë e një evazioni fiskal të mundshëm. Kemi të bëjmë me një rrezik shumë të madh. Kushdo që ka para të pista, paguan 5% dhe i pastron. E bëj shumë të thjeshtë, e zëmë se vitin e shkuar kam deklaruar 100.000 euro fitim dhe nuk kam deklaruar 100.000 tjera, a do kisha mundësi të deklaroja shtesën”, tha deputeti Shehaj.
Nga ana tjetër, deputeti Eno Bozdo dhe deputetja Jorida Tabakua, kërkuan të publikohet lista e kompanive që përfitojnë nga falja e gjobave dhe nëse ndër përfituesit ka persona që kanë në pronësi më shumë se një kompani.
Ministri i Financave Petrit Malaj tha se deputetët duhet të kërkojnë zyrtarisht listën e kompanive debitore, kërkesë që sipas deputetëve demokratë është dërguar dhe ka mbetur pa një përgjigje.
“Paqja fiskale nuk diskriminon askënd, është një marrëveshje vullnetare për të gjithë tatimpaguesit që në mënyrë vullnetare bëjnë marrëveshje me Tatimet, për korrektimin e pasqyrave financiare. Marrëveshje që nuk ofron asnjë lloj amnistie për persona që janë nën hetim, që kanë një vendim të gjykatës në formë të prerë, apo që janë nën hetim tatimor”, tha Malaj në përgjigje të pyetjeve nga demokratët.
Më tej Malaj, pyetur edhe për kursin e këmbimit tha se është një fushë ku mund të ndërhyjë vetëm Banka e Shqipërisë dhe jo qeveria. Ai tregoi se nga rënia e euros, borxhi publik është ulur me 7 mld lekë brenda vitit.
Ministri shtoi se nga parashikimet, brenda 2026-s hapen fondet e IPARD 3.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



