Gazeta Si – Sali Berisha ka dëshmuar këtë të mërkurë në SPAK për rreth 2 orë për herë të parë për dosjen “21 Janari”, ku në vitin 2011 humbën jetën 4 protestues para kryeministrisë.
Pasi doli prej andej, Berisha mohoi para mediave se nuk ka dhënë asnjë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve të opozitës së asaj kohe që drejtohej nga kryesocialisti Edi Rama.
“Garda nuk funksionon me urdhër, por me ligj. Garda dhe çdo vendroje e armatosur funksionon me ligj, e qëllove, duhet të qëllojë në ajër, po insistove, duhet të qëllojë te këmbët, vazhdove sërish, duhet të neutralizojë. S’ka pasur urdhër. Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar. Asnjë urdhër dhe kurrë, – tha Berisha. – Procesi për 21 janarin është bërë dhe ka qenë krejt normal. SPAK është institucion banal i propagandës socialiste. Unë isha njeriu i rrethuar, njeriu që iu kërkua të largohet ose do kalohej mbi kufoma dhe këto janë të vërtetuara dhe kisha dalë nga një palë zgjedhje të certifikuara nga ndërkombëtarët. Ushtarët e Gardës kanë qëlluar, por jo nga brenda kryeministrisë. Është qëlluar nga vendet ku rri Garda. Nuk kam dhënë asnjë urdhër për të qëlluar”.
Sipas tij, autoritetet ndërkombëtare dhe qeveria e SHBA-ve kanë deklaruar se PS kishte agjendë dhune me 21 janar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Jam pyetur se çfarë ndodhi më 21 janar. Kjo mosthirrje flet më shumë se çdo gjë tjetër, sepse kjo mosthirrje kishte të bënte vetëm me faktin se Edi Rama organizoi për epshet e pushtetit të tij, protestën më të dhunshme në historinë e vendit. Ky ishte shkaku i mosthirrjes. Autoritetet ndërkombëtare, qeveria e SHBA-ve ka deklaruar dhe ka rideklaruar se me 21 janar, PS kishte agjendë dhune. Ku janë ata, mbështetësit e saj? Nuk janë këtu. Ta marrin vesh ata, pra kishte agjendë dhune. Kjo është e vërteta”.
Berisha theksoi se thirrja e tij në SPAK është procedurë normale, por u përdor për propagandë socialiste.
“Thirrja për të dëshmuar është procedura më normale, por nuk është publike. Dumani, pa marrë unë njoftimin ua shpërndau mediave, në një akt të shëmtuar duke dëshmuar se institucioni i tij është institucion banal propagande socialiste. Pse duhet ta marrë vesh publiku që unë jam thirrur të pyetem për 21 janarin? Një procedurë që është diskrete, ua jep mediave, para se të ma japë mua dhe 2 javë furnizon studiot e televizioneve të kontrolluara nga qeveria, që të mos bëjnë debate për vjedhjet, por të merren që Sali Berishën e kanë thirrur pas 13 vjetësh në një gjë që duhet ta kishin thirrur”.
Kjo është hera e parë që Berisha pyetet mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur 14 vite më parë gjatë protestës përballë kryeministrisë, ku ndaj protestuesve u hap zjarr luftarak duke lënë 4 të vdekur dhe disa të plagosur.
Për të njëjtën çështje është marrë në pyetje më herët edhe ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Thirrja e Berishës bëhet rreth një vit e gjysmë pasi SPAK mori dosjen e ngjarjes me 4 viktima: Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.
Ngjarja, e cila më parë u trajtua si “vrasje nga pakujdesia”, u rikthye në hetim pas vendimit të Gjykatës së Lartë më 12 mars 2024, që urdhëroi SPAK-un ta hetojë si krim shtetëror dhe të përcaktojë përgjegjësinë e drejtuesve të lartë të kohës, përfshirë Berishën.
Për çështjen, në procesin fillestar u dënuan vetëm Ndrea Prendi me 1 vit burg dhe gardisti Agim Llupo me 3 vite burg, të cilët tashmë janë të lirë.
Në korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza kryesore: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



