Taksa

Nga kufizimi i blerjeve me cash tek sponsorizimet – Çfarë mban Paketa Fiskale 2026

Nga Gazeta ‘SI’ – Paketa Fiskale 2026 ka arritur sot (1 nëntor) në komisionet ndërparlamentare për t’u miratuar më pas në Kuvend. Në paketë, përveç “Paqes Fiskale”, qeveria parashikon të bëjë ndryshojë edhe disa ligje të regjimit apo procedurave tatimore.

Blerjet me cash

Një nga ndryshimet më të diskutuara është ai i vendosjes së kufirit për pagesat cash midis bizneseve dhe klientëve.

Për bizneset, në marrëdhënie me biznese të tjera nuk lejohen transaksione me para në dorë më shumë se 100 mijë lekë, ndërsa për klientët kufiri është 500 mijë lekë.

I njëjti draft bën të detyrueshëm që çdo biznes i turizmit, transportit si dhe institucionet publike të jenë të pajisur me terminalin POS/POI, për pagesat me kartë apo mjete të tjera elektronike.

Këto masa parashikojnë të rrisin transparencën dhe gjurmueshmërinë e transaksioneve si edhe të reduktojnë evazionin fiskal.

Gjithsesi kufiri i vendosur është disa herë më i lartë nga ai i diskutuar gjatë vitit, 700-1000 euro.

Sponsorizimet

Në Paketë, qeveria parashikon të zgjerojë kategoritë që përfitojnë lehtësi fiskale nga sponsorizimet. Në rastet kur shuma e sponsorizuar është deri në 5% të tatimit para fitimit, subjekteve u njihet si shpenzim i zbritshëm një shumë deri sa trefishi i asaj të sponsorizuar. Përveç sportit, në këtë kateori do të përfshihen edhe federatat sportive, komitetet olimpike dhe sportistët e nivelit të lartë. Po ashtu, të ardhurat nga sponzorizimet do të përjashtohen nga tatimi deri në masën që është shpenzim i njohur për sponsorizuesin.

Artistët që nuk janë shtetas të Shqipërisë do të pëfitojnë 24 muaj “pushim” nga regjimi tatimor shqiptar.

Të dyja këto masa, sipas qeverisë, synojnë të nxisin veprimtaritë sportive e kultutrore në Shqipëri.

Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë

Në Paketën e 2026-s qeveria parashikon heqjen e taksës së ndikimit në infrastrujtrë për çdo investim me qëllime publike. Ky vendim do të sjellë një mungesë prej 300 mln lekësh në arkën e shtetit, por pritet të ketë efekt në përmirësimin e kushteve të shërbimeve publike dhe sociale për komunitetin.

Kompensimi i Fermerëve

Ndryshimet në ligjin e TVSH-së, rikthejnë kompensimin në sektorin e bujqësisë.

Prodhuesit bujqësorë do të kompensohen me 10% për produktet dhe shërbimet që marrin në periudhë gjashtë-mujore. Shuma që kompensohet është rezultat i shumëzimit të normës së kompensimit me vlerën totale të produkteve dhe të shërbimeve bujqësore për këtë periudhë.

TVSH-ja do të kompensohet për fermerët e regjistruar, grumbulluesit/përpunuesit dhe agroturizmet e certifikuara.

Rivlerësimi

Vitin e ardhshëm qeveria rikthen Rivlerësimin e pasurive të paluajtshme.

Periudha e zbatimit do të nisë më 1 janar 2026 dhe do të mbyllet më 31 mars 2027, por kërkesat për Rivlerësim do të pranohen deri më 31 dhjetor 2026.

Qeveria është dakordësuar për një normë tatimi 5%, më e lartë se vitet e tjera.

Drafti i Ministrisë së Financave thotë se në rast se individi vendos që të kryejë rivlerësimin me vlerën e tregut, atëherë ai zgjedh një ekspert të licencuar. Aplikimit tëtij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh edhe aktin e vlerësimit të ekspertit. Në këtërast, drejtoritë vendore të AgjencisëShtetërore të Kadastrës përllogarisin bazën e tatushme, diferenca midis vlerës së pasqyruar në vlerësimin e ekspertit e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimet fiskale dhe vlerës së regjistruar të pasurisë, apo rivlerësuar.

Nëse individi vendos që rivlerësimi të kryhet mbi çmimet fiskale, bëhet aplikimi pranë Kadastrës e cila përllogarit, bazën e tatueshme dhe tatimin që duhet të paguajë individi për rivlerësimin.

Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, nÎë zbatim të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të bërë pas rivlerësimit, tatimi llogaritet sipas normave në fuqi mbi fitimin e realizuar, si diferencë e vlerës, në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë, me vlerën e rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë