Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë muajve të verës, bankat shqiptare kanë vijuar të zgjerojnë kreditimin për individët, edhe pse janë përballur me masa kufizuese të miratuara nga Banka e Shqipërisë. Të dhënat zyrtare tregojnë se kredia për këtë segment është rritur me 18.4% gjatë periudhës, duke sinjalizuar një kërkesë të fortë dhe të qëndrueshme.
Në korrik, BSH miratoi masa për frenimin e huadhënies në sektorin imobiliar, mes frikës për krijimin e një flluske të mundshme në tregun e banesave. Megjithatë, shifrat e fundit sugjerojnë se bankat ende nuk kanë reflektuar plotësisht këto kufizime, megjithëse ato deklarojnë se janë bërë më të kujdesshme në kriteret e kreditimit.

Rritja e fortë e huave për individë mbështetet nga zgjerimi si i kredisë së konsumit, ashtu edhe i asaj për banesa. Të dyja kategoritë kanë shënuar rritje të konsiderueshme në terma vjetorë, përkatësisht 20.5% dhe 18.4%. Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri lidhet me rritjen e konsumit, përmirësimin në tregun e punës, përdorimin më të madh të produkteve bankare dhe uljen e kostos së borxhit.
Ndryshe paraqitet situata për kreditimin e bizneseve, i cili ka rënë me rreth 5 pikë përqindje në të njëjtën periudhë. Sipas bankave, kjo rënie nuk është domosdoshmërisht negative, pasi tregon nivele të larta likuiditeti në sektorin privat. Banka e Shqipërisë thekson se një pjesë e rënies lidhet edhe me shlyerjen e një huaje të madhe të dhënë më herët; duke e përjashtuar këtë element, rritja e kreditimit për bizneset do të ishte pothuajse në linjë me prirjet e mëparshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



