Nga Gazeta Si- Koalicioni shqiptar pro familjes i ka kërkuar Presidentit Bajram Begaj që të mos dekretojë ligjin “Për barazinë gjinore”.
Akil Pano, në një deklaratë para presidencës tha për mediat se presidenti është hallka e fundit në mënyrë institucionale që ky ligj të mos dekretohet, duke shtuar se më pas do marrin hapa të tjerë.
“Me anë të një dokumenti do kërkojmë nga Begaj që të dekretojë ligjin. Ne jemi të përgatitur që këtë ligj ta dërgojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese dhe më tej”, tha Pano, duke përmendur referendumin.
Ai tha se janë gati që të paraqesin në komisionin e reformës zgjedhore kërkesën zyrtare për të hequr pengesat teknike të organizimit të referendumeve.
“Ligjin mund ta dërgojmë edhe me referendum mbarë popullor”, tha Pano.
Bashkë me dokumentin, Pano ka renditur edhe 30 arsye pse ky ligj nuk duhet të dekretohet, ku ndër arsyet janë:
-Do të indoktrinojë fëmijët shqiptarë në shkolla
-Rrezikon shëndetin dhe sistemin shëndetësor
-Krijon kaos social ligjor
-Krijon ndarje artificiale në shoqëri
-Ligji është miratuar pa konsultim të vërtetë publik
-Kërcënon harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare
-Është kundër vetë njeriut
-Shkel parimin e proporcialitetit dhe racionalitetin e vetë ligjit
Ligji u miratua me 77 vota pro në seancën e fundit të kuvendit.
Edhe pse projektligji pësoi ndryshime, duke u hequr togfjalëshat si “gjini e shumëfishtë, gjithëpërfshirje dhe diversitet”, përsëri organizatat për mbrojtjen e familjes janë kundër, pasi sipas tyre, fakti që në ligj nuk përmenden gjinitë “burrë dhe grua” lë vend për keqkuptime dhe ka hapësira për shkelje.
“Burrë-grua” është cilësuar vetëm ne nenin 4, ku tregon qartë që gjini janë vetëm 2 por kjo nuk është reflektuar në nenet e tjera.
Sipas socialistëve, ky draft është bërë për të pasur barazi gjinore dhe për të larguar diskriminimin.
Disa nga ndryshimet janë kuotat e pjesëmarrjes së barabartë gjinore në procesin e vendimmarrjes si dhe kërkohet që kuotat në institucione të jenë të barabarta për gjinitë.
Gjithashtu parashikohet eliminimi i diskriminimit për shkak të gjinisë dhe gjoba për gjuhën me ndjeshmëri gjinore.
Pastori Akil Pano tha në protestën e zhvilluar javën e kaluar se ky projektligj është kundërshtuar nga 98 për qind e shqiptarëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



