Drejtësia

Hetimet për ’21 janarin’/ Sali Berisha thirret të premten në SPAK

Nga Gazeta ‘Si’- SPAK i ka dërguar një fletëthirrje Sali Berishës për t’u paraqitur në lidhje me hetimet për dosjen e “21 Janarit” të vitit 2011, ku u vranë me armë zjarri 4 protestues gjatë një tubimi të opozitës para selisë së qeverisë.

Ish-kryeministri është njoftuar të paraqitet të premten në orën 10.00 si person që ka dijeni për ngjarjen në 3 adresa të ndryshme, atë të Parlamentit, Partisë Demokratike dhe në banesën e tij.

Sipas dokumentit zyrtar, urdhri është firmosur më 7 nëntor 2025 nga prokurori i SPAK, Alfred Shehu, i cili po heton çështjen penale.

Në urdhër, thuhet se Berisha thirret për t’u marrë në pyetje si person që ka njohuri për rrethanat e dobishme për hetimin, në kuadër të procedimit penal për veprat: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”; “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës“.

Më 30 tetor, edhe ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë deklarime për vrasjen e katër protestuesve më 21 janar 2011, kohë kur ai ishte ministër i Brendshëm.

SPAK regjistroi procedim penal për ngjarjen e 21 janarit të vitit 2011, pasi Gjykata e Lartë vendosi një vit e gjysmë më parë të prishë vendimet e mëparshme të gjykatave dhe urdhëroi fillimin e hetimeve për kallëzimin e familjes Nika ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha.

Të afërmit e Aleks Nikës, njërit prej protestuesve të vrarë para kryeministrisë në protestën e Partisë Socialiste më 21 janar 2011, akuzojnë Berishën, Bashën dhe ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi se urdhëruan të qëllohej me armë ndaj pjesëmarrësve në protestë.

Pak ditë më parë, i pyetur për hetimet e “21 janarit”, Berisha tha se do të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij nëse do të ketë një kërkesë nga ana e SPAK-ut, teksa akuzoi Edi Ramë për bllokim të dosjes.

Ai tha se nuk kishte patur asnjë urdhër të dhënë prej tij drejt Gardës për të hapur zjarr ndaj protestuesve.

“Njeriu që ka penguar çdo hetim të asaj dosjeje ka vetëm një emër dhe ky është Edi Rama. Hetimi i plotë dhe zbardhja e kësaj çështjeje është në interesin më maksimal të Sali Berishës dhe të Partisë Demokratike. Në çdo fletëthirrje që mund të bëhet, e kam faktuar këtë, jam paraqitur sa herë më kanë kërkuar, shumë i hapur për çdo lloj…”, tha Berisha më 3 nëntor.

Në 21 janar të vitit 2011, gjatë protestës që u zhvillua përpara kryeministrisë, humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë