Gazeta Si – Një skandal i ri ka përfshirë BBC-në, pas akuzave se televizioni publik britanik ka manipuluar qëllimisht fjalimin e Donald Trump pas sulmeve në Kapitol Hill në vitin 2020, në një dokumentar të transmetuar pak ditë para zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024.
Sipas gazetës konservatore britanike “The Daily Telegraph”, e cila e zbuloi çështjen të martën, manipulimi është bërë në një dokumentar të emisionit investigativ “Panorama”, që u transmetua vetëm një javë para zgjedhjeve të 5 nëntorit 2024 në SHBA.
Sipas akuzave, BBC ka bashkuar fragmente të ndryshme nga një fjalim i Trump, duke krijuar përshtypjen se ai i inkurajonte mbështetësit e tij “të marshonin drejt Kapitolit për t’u përleshur si djaj”.

Drejtori i Përgjithshëm, Tim Davie ka njoftuar dje dorëheqjen nga detyra e tij pas 5 vitesh në detyrë, duke pranuar se “kanë ndodhur disa gabime” dhe se ai duhet të “marrë përgjegjësinë përfundimtare”.
Gjithashtu, shefja ekzekutive e BBC News, Deborah Turness, njoftoi dorëheqjen e saj pas një raporti të gazetës gjatë javës, që akuzonte institucionin mediatik për editim selektiv të një fjalimi të Donald Trump në ditën e protestës masive në Capitol, në janar 2021.
Në fakt, në versionin e plotë të fjalimit të 6 janarit 2021, ditën kur ndodhi sulmi ndaj selisë së Kongresit në Washington, Trump kishte thënë: “Ne do të marshojmë drejt Kapitolit për të inkurajuar senatorët dhe përfaqësuesit tanë trima në Kongres”.
Shprehja “të luftojmë si djaj” ishte përdorur nga ai në një pjesë tjetër të fjalimit, pa lidhje të drejtpërdrejtë me marshimin drejt Kapitolit.
Në atë kohë, Trump refuzonte të pranonte humbjen ndaj demokratit Joe Biden, ndërsa mijëra përkrahës të tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, në ngjarjen që tronditi botën.
Pas publikimit të këtyre akuzave, një zëdhënës i BBC-së deklaroi se presidenti i grupit, Samir Shah, do të paraqesë një përgjigje të plotë përpara Komisionit Parlamentar për Kulturë dhe Media ditën e hënë.
Sipas mediave britanike, përfshirë vetë BBC-në, përgjigjja pritet të përfshijë një kërkim falje publike nga drejtuesit e institucionit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



