Drejtësia

I dënuar me 15 vite burg, Gjykata e Lartë kthen për rigjykim dosjen e të shumëkërkuarit, Domart Konjari

Gazeta Si – Dosja penale ndaj shumë të kërkuarit të drejtësisë Domart Konjari, do të rigjykohet sërish në Apelin e Posaçëm me një tjetër trupë gjykuese.

Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Shkallës së Dytë, ku e ka dënuar Konjarin me 15 vite burg në mungesë.

Konjari me 7 tetor të vitit 2021 u shpall fajtor me vendim të formës së prerë për një sërë akuzash që përfshihen “Krijim, organizim dhe drejtim organizate kriminale”; “ Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”; “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave, vizave” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Sipas prokurorisë, Konjari është i përfshirë në trafikun e kokainës dhe heroinës nga Amerika Latine në Europë e kryesisht në Francë.

Ai është i akuzuari kryesor për ekzekutimin e Devi Kasmit, me të cilin kishte pasur edhe bashkëpunim në fushën e narkotikëve.

Madje dyshohet se drejtonin bashkë në Spanjë një grup të trafikut të drogës, një nga furnizuesit e Europës me kokainë.

Konjari u arrestua në nëntor të vitit 2015 për llogari të autoriteteve franceze, por pesë muaj më vonë, Apeli i Krimeve të Rënda zbuti masën e sigurimit, duke caktuar nga “arrest me burg”, në “detyrim paraqitjeje”. Kjo bëri që Konjari të arratisej dhe të jetë ende në kërkim.

Emri i tij përmendet si i përfshirë direkt ose indirekt si i dyshuar në disa vrasje për trafikun e drogës.

Në dosje përmendet vrasja e 29 gushtit të vitit 1998, kur është ekzekutuar Gentian Dervishi, i njohur ndryshe me nofkën “Gent Kadaifi”.

Vrasja ndodhi pranë “Shkollës së Kuqe” në Tiranë. Më pas, emri i Konjarit del edhe në vrasjen e ndodhur në vitin 2003, në qytetin Rëne të Francës, ku u vra Erion Murati për një mosmarrëveshje për trafikun e drogës.

Lista e atentateve, ku dyshohet se ishte përfshirë Konjari, vijon me ngjarjen e 3 gushtit të vitit 2005 në Tiranë, ku u ekzekutua Fatjon Naxhaku.

Po ashtu, Konjari dyshohet edhe si porositësi i vrasjes së Devi Kasmit në Tiranë, ngjarje e ndodhur në 29 janar 2018 në rrugën “Kongresi i Manastirit”.

Kasmi u qëllua disa herë me pistoletë në kokë dhe trup, ndërsa dyshohet se vrasja ndodhi për prishje të pazareve të kokainës në Francë dhe Spanjë.

Për këtë vrasje ishin nën akuzë në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal ish-speciali grek Efthimios Efthimiu, si ekzekutori i Kasmit, Aurel Hoxhallari alias Altin Hoxhallari, Elton Habilaj, Marvin Dinellari, Elton Hoxhallari dhe Marjo Meshini.

Bashkëpunëtori në krim Elton Halipajn u dënua me 33 vjet burgim, ndërsa në mars të këtij viti, Apeli i Posaçëm la në burg përjetë ish-komandon greke Efthimiu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë