Drejtësia

Dëshmon mjeku që vizitoi Dumanin pas atentatit: Dikush që çalonte, më tha mos fol me njeri!

Gazeta Si – Gjatë seancës së kësaj të enjteje në Gjykatën e Posaçme mbi dosjen “Plumbi i Artë”, ka dëshmuar mjeku, i cili shkoi të ndihmonte vrasësin me pagesë Nuredin Dumani natën që i penduari i drejtësisë kishte mbetur i plagosur nga një atentat në Papër të Elbasanit në mars të vigit 2022.

Ai shprehet se e kishte telefonuar dikush për t’i kërkuar që të mjekonte një person të plagosur. Sipas mjekut, ai nuk i kishte dhënë ndihmë duke i sugjeruar që të operohej, ndërsa tha se nuk kishte arritur ta njihte pasi pamja që kishte nuk përputhej me foton e publikuar në media.

“Në 2022 kam qenë kirurg. Ka qenë ora 09:30. Më ka marrë dikush dhe më kërkoi për një vizitë në shtëpi. Më mori dikush, që çalonte e me çoi në ca rrugica që nuk po i kuptoja. U futëm në një garazh e pastaj në një apartament. Më thanë që çfarë do shikosh atje nuk do tregosh, – pohoi ai në GJKKO. – Kur shkuam në apartament, ishte një person me fasho në kurriz. Ishte një kaçurrels. Unë thashë, që ky është për operacion. Ai kishte një plagë me armë zjarri, plumb që ishte futur, por nuk kishte dalë. Apartamenti ishte kati i pestë me ashensor, por nuk di ta them se ku ishte. Atje ishte edhe një vajzë, si edhe një person që kishte një laborator”.

Mjeku tha se vizita nuk kishte zgjatur as një minutë dhe ai ishte trembur shumë pasi kur ishte larguar kishte vënë re se po e ndiqnin nga pas me makinë.

“As një minutë nuk zgjati qëndrimi im aty. Kur shkova në spital pashë një mjet që më vinte nga pas. Edhe në shtëpi shkova me frikë. Nuk fola me personin që ishte i plagosur”, – tha mjeku.

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani mbeti i plagosur në mars të vitit 2022, pas një atentati me armë në Papër të Elbasanit. Policia e arrestoi atë disa orë pas ngjarjes, në një apartament në lagjen “Apollonia” të Fierit, të cilën kishte pak kohë që e kishte marrë me qira.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë