Drejtësia

Burg për 32-vjeçarin që vrau kushëririn në Vlorë, por nuk tregon arsyen e krimit!

Gazeta Si – Në një seancë gjyqësore që zgjati rreth dy orë, Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Bertil Alliajt, i cili katër ditë më parë ekzekutoi me armë zjarri djalin e xhaxhait të tij, Dalan Alliaj.

Seanca u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe me dyer të mbyllura, ndërsa Bertil Alliaj u shoqërua për në sallën e gjyqit nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Para gjyqtarëve të çështjes, Alliaj ka ngurruar sërish të tregojë motivin e vërtetë të vrasjes: “Nuk jam në gjendje të flas, jam dakord me çdo gjë që thotë avokati”.

Shkaqet e kësaj vrasjeje mbeten ende të paqarta. Megjithatë, ajo vjen si një kronikë e paralajmëruar, për shkak se Bertil Aliaj kishte qenë i përfshirë në një tjetër ngjarje të rëndë kriminale vite më parë.

32-vjeçari ishte dënuar në mungesë me 35 vjet burg për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, për atë që njihet si “masakra e Çoles”.

Në prill të vitit 2015, në një lokal në lagjen “Çole”, pas një konflikti të armatosur për motive banale, u vranë Haki Rakipi, Alfred Velaj dhe Albi Lima.

Për këtë ngjarje u arrestua Aleksandër Llanaj, i cili u dënua me burgim të përjetshëm. Ndërsa 35 vjet u dhanë për Ani Begajn dhe Bertil Alliajn, i cili kishte mundur t’i shpëtonte drejtësisë, duke qëndruar në arrati prej 10 vitesh.

Bertil Alliaj u arrestua në malet e fshatit Gjorm pas disa orë kërkimesh nga policia pas ngjarjes së rëndë. Përmes një njoftimi, Policia sqaroi se ishte sekuestruar edhe arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar si e përdorur në këtë ngjarje, së bashku me 10 fishekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë