Gazeta Si – Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka kritikuar draftin për Kodin e ri Penal, duke nënvizuar se paqartësia e neneve të tij nuk mund të garantojë drejtësi.
Në një tryezë konsultative me drejtues të institucioneve të drejtësisë në vend dhe konstitucionalistë, Sadushi ka theksuar se Gjykata e Lartë nuk refuzon ndryshimet në draft, por kërkon ta bëjë atë më të drejtë e funksional.
Ai ka theksuar se drafti aktual, megjithëse voluminoz dhe me risi, mbetet i paqartë, jo gjithmonë koherent dhe shpesh e rrezikon proporcionalitetin dhe humanizmin e drejtësisë penale.
“Kur u prezantua projekti në korrik, ngrita disa pyetje që mbeten thelbësore edhe sot: A është ky Kod i qartë dhe funksional? A është human dhe proporcional? A i flet qytetarit apo profesionistëve? A ndihmon në konsolidimin e praktikës gjyqësore apo krijon më shumë dilema? Këto nuk janë pyetje retorike, por thelbi i reflektimit për një reformë, që do të përcaktojë fytyrën e drejtësisë sonë penale për dekadat e ardhshme”, është shprehur drejtuesi i kësaj gjykate.
Sadushi ka nënvizuar se “një Kod i paqartë Penal, nuk mund të garantojë drejtësi” dhe se drafti aktual “ka mospërputhje me Kodin Civil, atë të Procedurës Penale apo ligje të tjera”.
Sipas tij, projekti aktual, që përfshin mbi 950 nene, të mbingarkuara dhe të paqarta, rrezikon të zhvendosë theksin nga mbrojtja e lirive drejt forcimit të ndërhyrjes shtetërore.
“Në disa dispozita thelbësore, si neni 18 që përkufizon ‘veprën penale’, ndërthuren në mënyrë të pasaktë elementë materialë me nocione procedurale, duke cenuar qartësinë dhe koherencën e normës; neni 20 e përcakton lidhjen shkakësore përmes shprehjes ‘probabilitet i lartë’, ndërsa në dispozitat që trajtojnë përgatitjen, tentativën, bashkëpunimin dhe format e fajësisë etj, gjuha e përdorur krijon paqartësi dhe hapësirë për interpretime subjektive“, – tha Sadushi.
Ai kërkon rishikim në dispozitat që lidhen me ndërhyrjet në lirinë e shprehjes dhe të drejtën për informim, duke përmendur nenet 235, 509, 517, 863 dhe 865 të projektit.
Sipas tij, projektligji nuk është ndërtuar mbi parimin e humanizmit, por zgjeron logjikën ndëshkuese, duke e çuar dënimin maksimal deri në 45 vjet, gjë që sipas tij, devijon nga standardet evropiane.
“Në vend që të garantojë mbrojtjen e lirive, projekti e shton ndërhyrjen shtetërore dhe e bën drejtësinë më mekanike. Rritja e përgjithshme e dënimeve dhe mungesa e fleksibilitetit në caktimin e tyre, rrezikon ta zhvendosë drejtësinë nga humanizmi drejt formësimit mekanik”, u shpreh Sadushi.
Konsultimin mbi draftin e ka cilësuar jo transparent dhe pa gjithëpërfshirje. Kryesore sipas Gjykatës së Lartë janë pesë shtylla: qartësia dhe siguria juridike, koherenca sistemike dhe përputhshmëria evropiane, dekriminalizimi dhe parimi i “ultima ratio”, filozofia humane e drejtësisë penale dhe respektimi i proporcionalitetit me diskrecion gjyqësor.
“Drejtësia nuk matet me shpejtësinë e miratimit të ligjeve, por me cilësinë e mendimit intelektual dhe respektin për lirinë e qytetarit”, ka theksuar Sadushi në fjalën e tij.
Sadushi konfirmoi se Gjykata e Lartë i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë një material me mbi 50 faqe vërejtje dhe propozime për përmirësimin e draftit të Kodit të ri Penal.
Projektligji për Kodin e ri Penal u hodh për konsultim publik më 27 gusht nga Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me aktorët e sistemit të drejtësisë, partnerët ndërkombëtarë, universitetet, shoqërinë civile, mediat dhe qeverinë, si pjesë e angazhimeve për anëtarësim në BE dhe forcimin e Shtetit të së Drejtës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



