Politike

Veliaj nuk u shkarkua, Rama ironizon vendimin e GJK: Tirana s’mund të trajtohet si jetim! 

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama ka reaguar një ditë pasi Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrë Erion Veliaj si kryebashkiak i Tiranës, duke anuluar vendimin e qeverisë që e shkarkoi.

Në një postim në X, Rama ironizon duke shkruar se u vërtetua që ai nuk ‘i ka kapur të gjithë pushtetet’,  siç e akuzon opozita.

Ai thotë se nëse Kushtetuesja ka vlerësuar se kryebashkiaku i Tiranës nuk mund të largohet veçse me zgjedhje, atëherë sipas tij mbajtja e Erion Veliajt në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave të tij, por edhe në dëm të popullit të Tiranës.

Ndërsa shkruan se me mos lejimin e zhvillimit të zgjedhjeve, i bëhet dëm i madh Tiranës, Rama thekson se ky vendim cënoi sipas tij qytetarët. Ai e konsideron këtë një ngërç absurd dhe thotë se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë.

“Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo.

Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo“, shkruan ai.

Të hënën pasdite(3 nëntor) Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë vendimin e Edi Ramës duke legjitimuar mandatin e Erion Veliajt si qytetarin e parë të Tiranës, edhe pse në qelinë e paraburgimit në Durrës.

Argumentet e Veliajt në sallën e gjyqit qëlluan të ishin të përafërta me vendimmarrjen e Gjykatës duke konsideruar pikë së pari në shkelje të kushtetutës procedurën e ndjekur nga Këshilli Bashkiak ku sipas trupës, ata shkelën parimin e një procesi të rregullt ligjor duke mos e thirr Veliajn në mbledhjen e këshillit.

Si arsye të shkarkimit ish-bashkëpunëtorët e Veliajt kishin faktin se kishte mbi tre muaj pa u paraqitur në detyrë, gjë e cila sipas trupës, ishte në shkelje të Kushtetutës, pasi mungesa e Veliajt ishte e përligjur, sa kohë mbahet i paraburgosur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë