Drejtësia

Sekuestrohen pasuri me vlerë 2 milionë euro në Vlorë

Gazeta Si – Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar pasuri me vlerë 2 milionë euro në pronësi të shtetasit me iniciale T.Q., përfshirë apartamente, prona, dyqane e makina.

Sekuestro u vendos ndaj të akuzuarit veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ky operacion është pjesë e një sërë masash të ndërmarra së fundmi nga strukturat e hetimit financiar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, për të goditur pasuritë që dyshohet se vijnë nga burime kriminale.

Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen:

Një apartament me sipërfaqe 82 m² në lagjen “29 Nëntori”, Vlorë;

Një parcelë toke (arë) me sipërfaqe 2000 m² në Radhimë, në pronësi të shtetasve E.K. dhe F.K.;

Një apartament me sipërfaqe 108.5 m² në zonën e Farkës, ndërtuar nga shoqëria “Besa G&T”;

Dy njësi tregtare (dyqane) në lagjen “1 Maji”, Vlorë, me sipërfaqe 50.6 dhe 89.8 m²;

Gjashtë vende parkimi (post-parkime) në të njëjtën lagje, me sipërfaqe nga 28 deri në 36 m² secila;

Dhjetë apartamente në ndërtesën e ndërtuar nga shoqëria “Lespipa” sh.p.k., në lagjen “1 Maji”, me sipërfaqe që variojnë nga 49.7 m² deri në 108.45 m², shumica prej tyre të prenotuara nga shtetasi T.Q.;

Dy automjete, një “Daimler Chrysler” i vitit 1994 dhe një “Ford Focus” i vitit 2005, në pronësi të T.Q.

Sipas Prokurorisë së Vlorës, veprimet hetimore po vijojnë për të zbuluar burimin e fondeve me të cilat janë blerë dhe investuar këto pasuri, pasi dyshohet se ato janë përfituar përmes aktivitetit të paligjshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë