Drejtësia

GJKKO dënon me 2 vite burg ish-deputetin socialist, Jyrgis Çyrbja

Gazeta Si – Pak pas pretencës së SPAK, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka dënuar me 3 vjet burg ish-deputetin socialist, Jyrgis Çyrbja, por që për shkak të gjykimit të shkurtuar, i ulet në 2 vite.

Çyrbja u deklarua fajtor për akuzat “tregim të sekretit shtetëror për disa episode si dhe për përkrahje të autorit të krimit në 4 episode, si dhe për akuzën korrupsion në zgjedhje”.

Ndërkohë, përsa i përket të dyshuarve të tjerë, Altin Hajri u shpall fajtor për korrupsion në zgjedhje dhe tregim sekreti shtetëror.

SPAK kishte kërkuar 3 vite burg, që për shkak të dënimit të shkurtuar, shkon po ashtu në 2 vite dënimi. Dënimi i dhënë nga GJKKO është i njëjtë me pretencën e kërkuar nga SPAK.

Ndërkohë, Ahmet Masha, u shpall fajtor për “tregim të sekretit shtetëror dhe përkrahje të autorit të krimit dhe u dënua me 2 vite e 6 muaj, që ulet në 1 vit e 8 muaj burg, gjithashtu për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ilir Murati, avokati i Jurgis Çyrbjes thotë se nuk ka asnjë provë që vërteton akuzat e ngritura për ish-deputetin si dhe kërkon specifikim të sekretit hetimor që pretendohet se është dekonspiruar nga klienti i tij.

“Nuk ka asnjë provë për kryerjen e veprave që akuzohet. Bazohet tek transkriptet, disa biseda e foto, por nuk lidhen me asnjë provë tjetër. Nuk ka përcaktim të saktë se cili informacion konkret përbën nxjerrje sekreti shtetëror. Duhet që SPAK të sqarojë cili fakt përbën nxjerrje të sekretit shtetëror. Duhet të kemi një akt klasifikimi të kualifikimit të sekretit shtetëror, dhe akuza nuk specifikon se i çfarë niveli është sekreti shtetëror i pretenduar që ka nxjerr i pandehuri”, tha avokati Murati.

Të njëjtat pretendime ka pasur dhe avokati mbrojtës i Altin Hajrit. Ai thotë se Hajri nuk ka asnjë dijeni për sekret shtetëror, si dhe nuk ka asnjë provë që vërteton se ka siguruar vota për Jurgis Çyrbjan, aq më tepër në formë të paligjshme.

Sipas SPAK, ish-ligjvënësi i PS gjatë kohës që ishte edhe pjesë e komisionit të sigurisë, fshehu në shtëpinë e tij Altin Hajrin, të shpallurin në kërkim për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar 2020.

Ndërsa Çyrbja në hetimet e SPAK rezulton të ketë qenë vazhdimisht informator i grupeve kriminale sa u takon operacioneve që zhvilloheshin në Durrës.

I përfshirë në këtë skemë informimi për grupet krimnale rezulton të ketë qenë edhe Ahmet Masha, kunati i vëllait të Jurgis Çyrbjes.

Po ashtu, në dosjen hetimore ndaj ish-deputetit, përmenden edhe episode të zbardhura në SkyEcc, ku tregohej se Altin Hajri kishte ndërhyrë për futjen e Çyrbjes në listat e kandidatëve për deputet të PS në Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë