Gazeta Si – SPAK ka ngritur akuza në ngarkim të pesë zyrtarëve për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim në hetimet për tunelin e Llogarasë.
Në një njoftim zyrtar, thuhet se të pandehurit, Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica akuzohen për veprimet e tyre si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin Orikum-Himarë të autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Tenderi kishte fond limit prej rreth 18.9 miliardë lekësh pa TVSH.
Gjatë kohës së kryerjes së veprimeve, Evis Berberi ishte Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH, Gentian Gjyli, Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes, ndërsa Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica ishin specialiste të nivelit të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Më herët, mëngjesin e kësaj të hëne u paraqit në SPAK, kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli, i cili shoqërohej nga avokati i tij, Andi Skënderi.
Pasi qëndroi vetëm për pak minuta, Gjyli doli nga ambientet e prokurorisë, por nuk pranoi të jepte asnjë deklaratë për mediat.
Ndërsa avokati i tij pranoi se ishte thirrur për tunelin e Llogarasë, për të cilin të premten u mor e pandehur edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku.
Gentian Gjyli u emërua drejtor i ARRSH më 28 mars 2024, një javë pas arrestimit nga SPAK të ish-drejtorit Evis Berberi, më 14 mars 2024.
Ai është thirrur edhe më herët në SPAK ku ka dëshmuar mbi procedurat e ndjekura në tenderët e rrugëve, gjatë kohës që ai ishte numri 2 i ARRSH-së dhe drejtor Evis Berberi, i cili tashmë është nën masën e sigurisë “arrest me burg”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



