Gazeta Si – Biznesmeni nga Kosova, Behgjet Pacolli u pyet këtë të premte në Prokurorinë e Tiranës për rreth 4 orë në lidhje me një konflikt mes aksionarëve për aeroportin e Vlorës, çështje për të cilën ai dhe vëllai i tij, Emin Pacolli kanë dorëzuar kallëzim se u është bërë një falsifikim me qëllim se ortaku tjetër, Valon Ademi po tenton t’u marrë 47% të aksioneve.
Në dalje, Pacolli theksoi për mediat se qeveria nuk ka lidhje në këtë çështje, ku edhe vetë Pacolli është kallëzuar nga Ademi.
“Pala tjetër ka bërë kallëzim, ne jemi përgjigjur. Po edhe vëllai im ka bërë kallëzim dhe u pyeta si person në dijeni për të dhënë informata. Nuk kam pasur takim me Edi Ramën, qeveria nuk ka asgjë të bëjë. Është e padrejtë të përmendet, qeveria nuk ka lidhje me asgjë këtu”, – tha Pacolli mes të tjerash.
Pacolli u shpreh se e ka lënë këtë çshtje “në dorë të drejtësisë, besoj shumë në drejtësi, do veproj ashtu siç do pasojnë vendimet, aeroporti do të bëhet, do jetë aeroporti më i bukur”.

Ai u thirr nga prokurori Ndini Tavani dhe oficeri Andri Dervishi, për t’u pyetur si deklarues për 47 për qind të aksioneve të aeroportit dhe mosmarrëveshjen me Valon Ademin.
Marrja në pyetje e Pacollit u krye si person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes dhe konfliktin me aksionerin Valon Ademi dhe ish-administratorin e kompanisë “Vlora Internacional Airoport”, Valon Lluka.
Nga ana tjetër, edhe vëllai i tij, Emin Pacolli ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës tre persona, noteren Valbona Selimi, aksionerin në minorancë Valon Ademi dhe ish-administratorin, Valon Lluka.
Në fakt, një përplasje mes dy aksionarëve që kanë në pronësi aeroportin e Vlorës, ka përfunduar tashmë në dyert e gjykatave, e cila nga ana e saj ka bllokuar çdo lëvizje me aksionet e kompanisë.
Aksioneri i minorancës në këtë koncesion, Valon Ademi ka akuzuar publikisht Behgjet Pacollin për mashtrim.
Thelbi i konfliktit të dy ortakëve në ndërtimin e aeroportit ka qenë ndarja e aksioneve, ku Ademi zyrtarisht ka 2% të tyre, por pretendon 47%.
Mes palëve ekziston gjithashtu një kontratë noteriale, e firmosur menjëherë pas largimit të grupit turk “YDA” nga koncesioni i aeroportit.

Ky grup kishte në pronësi 40 për qind të aksioneve të aeroportit të Vlorës, të cilat formalisht ia shiti kompanisë “Mabco” të Behgjet Pacollit për shumën simbolike prej 4200 eurosh.
Po atë ditë, “Mabco” dhe “2A Group” nënshkruan një marrëveshje të re për ndarjen e aksioneve, duke përcaktuar që “Mabco” të zotëronte 53 për qind dhe “2A Group” 47 për qind të tyre.
Megjithatë, këto kontrata nuk janë regjistruar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB). Ndërkohë, kompania “2A Group” e Ademit kërkon të njihet zyrtarisht si pronare e 47 për qind të aksioneve, duke u mbështetur në kontratën noteriale dhe dokumentacionin e plotë të investimeve të realizuara gjatë dy viteve të fundit.
Nga ana tjetër, “Mabco” e Pacollit kundërshton këtë pretendim dhe, si aksionere kryesore e konsorciumit, ka marrë vendim të mos lejojë ndryshimin e strukturës së aksioneve.
Përplasja mes tyre ka çuar edhe në shkarkimin e administratorit të parë të kompanisë së aeroportit të Vlorës, ndërsa i dyti ka dhënë dorëheqjen pak ditë më parë.
Pas akuzave mes aksionarëve, Valon Ademi ka bërë kallëzim ndaj Pacollit dhe gjykata ka vendosur pak ditë më parë masën e sigurimit të padisë ndaj shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.

Gjithashtu është pezulluar edhe e drejta e votës e ortakut të shumicës, shoqërisë “Mabco Constructions SA”, e Pacollit deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit të shoqërisë “VIA sh.p.k.”, të transferuara më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k.
Prokuroria e Tiranës ndërkohë ka nisur një grup prokurorësh për hetimin e çështjes së aeroportit të Vlorës.
Hetimi është regjistruar për 3 individë: biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë, Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër, “Mabco Construction S.A”.
Nelson Çela u thirr në Prokurorinë e Tiranës, i cili dha një deponim, ndërsa fill më pas nënshkroi edhe dorëheqjen si administrator i kompanisë në pronësi të Pacollit.
Të tre ata janë zyrtarisht nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.
Pas këtyre zhvillimeve ka reaguar ditën e djeshme Behgjet Pacolli, i cili thotë se në Shqipëri ka nisur një fushatë kundër tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



