Dosje

Plumba kundër drejtësisë, jo vetëm në sallën e gjyqit!

Gazeta Si – Në më shumë se 30 vite demokraci, vrasja në sallën e gjyqit të një gjykatësi në krye të detyrës është rasti i parë në Shqipëri.

Ekzekutimi i gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, konsiderohet një ngjarje shumë dimensionale, jo vetëm për çështje të sigurisë në një institucion drejtësie, por edhe për mënyrën e vetëgjyqësisë ndaj një funksionari shtetëror.

Por rastet që plumbat i kanë marrë jetën, apo kanë plagosur njerëz të drejtësisë, nuk mungojnë, ku pjesa më e madhe janë goditur nga dhuna kriminale. Një pjesë e këtyre ngjarjeve, vijojnë të jenë të pazbardhura edhe pse kanë kaluar dekada.

Më 21 shkurt 1999, kryetari i Dhomës së Avokatisë, Kleanthi Koçi, mbeti i plagosur rëndë në një atentat në Tiranë.

Ai u dërgua për kurim jashtë vendit, por ndërroi jetë pak ditë më vonë, në një avion drejt Italisë. Një ngjarje e pazabardhur sot e kësaj dite.

Më 30 shtator 2003, një tjetër viktimë indirekte e sistemit të drejtësisë u regjistrua në Tiranë: Genci Sina, shoferi i Prokurorit të Përgjithshëm të kohës, Theodhori Sollaku, u qëllua për vdekje në mes të Tiranës pak metra larg bulevardit, teksa shoqëronte familjen e tij me automjet.

Familjarët e viktimës deklaruan se ai nuk kishte konflikte personale, çka shtoi dyshimet se vrasja ishte një mesazh për Sollakun.

Ngjarja që tronditi edhe më shumë sistemin e drejtësisë, ishte vrasja më 9 shtator 2011 e gjyqtarit të Gjykatës së Vlorës, Skerdilajd Konomi në një atentat të mirëfilltë mafioz. Mjeti i tij u hodh në erë me një sasi tritoli në mes të Vlorës, ndërsa gjyqtari po shkonte në punë.

Edhe pse u rihapën hetimet në 2013, autorët e kësaj vrasjeje nuk u identifikuan kurrë. Pista kryesore mbeti ajo e detyrës dhe çështjeve të pronësisë që kishte dhe vetë familja e Konomit.

Fildes Hafizi, gjyqtare e Gjykatës së Shkodrës, 39-vjeçe, nënë e dy fëmijëve, u ekzekutua më 31 gusht 2017 me pistoletë në zonën e Xhamllikut nga ish-bashkëshorti i saj. Policia arrestoi Fadil Kasemin, i cili e qëlloi ish-gruan brenda automjetit të saj, tip “Benz”.

Hafizi  nuk arriti t’i mbijetojë atentatit të dytë të ish-bashkëshortit të saj, i cili po në të njëjtën mënyrë tentoi ta vriste dy vite më parë.

Në atë kohë, Gjykata e Kavajës caktoi për të masën e sigurisë me burg, por dy vite më pas, Kasemi u lirua nga çdo akuzë, duke i pasur duart e lira për krimin e rëndë.

Dy vite më vonë, më 22 mars 2019, në një lokal në Elbasan, u vra me armë zjarri avokati Ravik Gurra, një figurë e njohur në rrethet gjyqësore.

Ngjarja ndodhi në një moment kur qyteti ndodhej në kulmin e tensioneve të grupeve kriminale dhe konfirmoi se edhe avokatët nuk ishin të përjashtuar nga vala e dhunës. Asnjë person nuk u vu para përgjegjësisë për këtë vrasje.

Vetëm pak muaj më vonë, më 1 nëntor 2019, kryhet një atentat mafioz në Shkozet ndaj makinës së prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj, tashmë deputet i Partisë Demokratike.

Gjatë sulmit me armë, u vra shoferi i tij, Andi Maloku dhe u plagosën vetë prokurori dhe Aleksandër Laho, ose “Rrumi i Shijakut”.

Për këtë ngjarje janë dënuar me burg përjetë Redjan Rraja dhe me 35 vite burg, Arjon Halili, ndërsa janë shpallur në kërkim disa të dyshuar të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë