Rend dhe Ligj

Dinamika e vrasjes së Sarchit, autori u konfliktua me Gazmend Braçin për dritat e gjata, pastaj qëlloi italianin

Gazeta Si – Konflikti banal që degradoi në përdorimin e armës që më pas solli edhe vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi, kishte nisur fillimisht mes autorit Kamber Sulçaj dhe Gazmend Braçit për shkak të dritave të gjata, që ky i fundit mbante ndezur gjatë qarkullimit.

Autori 48-vjeçar, i shpallur në kërkim për ngjarjen po udhëtonte me makinën e tij drejt stanit që kishte në pronësi, kur rrugës u shkëmbye me makinën me të cilën qarkullonte Gazmend Braçi me disa miq të tij.

Mes tyre nisi një debat për shkak se Sulçaj e akuzonte Braçin se e kishte verbuar me dritat e gjata dhe pati ofendime e sharje për disa minuta.

Pas debatit, Gazmend Braçi është nisur me makinë drejt shtëpisë së tij në Salari, por autori i dyshuar i vrasjes e ka ndjekur nga pas.

Në një moment, Braçit i prishet makina dhe telefonon babain e tij, Eqerem Braçi. Ky i fundit është nisur me 2 makina, njëra prej të cilave drejtohej nga ortaku i tij italian, Edoardo Sarchi.

Në momentin që Eqerem Braçi dhe Sarchi kanë mbërritur në vendngjarje, drejt tyre është qëlluar me armë zjarri nga Kamber Sulçaj, njëri prej plumbave preku biznesmenin italian.

Për disa minuta, Sulçaj i ka mbajtur në të njëjtin vend duke qëlluar vazhdimisht në drejtim të tyre. pasi u largua nga vendi i ngjarjes, makinën e fshehu në një zonë të thellë, poshtë një peme.

Dëshmitë kyçe për zbardhjen e ngjarjes, i kanë dhënë dy dëshmitarë që kishin kaluar rastësisht në rrugë dhe kishin dëgjuar sherrin që përfundoi në të shtëna me armë.

Ekspertiza paraprake ka zbuluar se Sarchi u qëllua me një plumb në pjesën e sipërme të kofshës dhe plumbi ishte tejshpues.

Personat që e shoqëronin i dhanë ndihmën e parë duke i lidhur këmbën, por për shkak se humbi shumë gjak, italiani nuk arriti të mbijetonte.

Arma e krimit nuk është gjetur, por në vendin ku policia gjeti makinën, u gjetën edhe sende të tjera me rëndësi.

Mes tyre një dylbi që dyshohet se është e armës së krimit, që Kamber Sulçaj e ka marrë me vete. Po ashtu, një tjetër provë me rëndësi për hetimin është edhe një dokument leje e armës pushkë me viaska me dylbi nate, në emër të tij, e cila përputhet me armën e krimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë