Dosje

Një gjurmë gishti nga një foto në chat zbuloi 3 grupet kriminale të shqiptarëve në Itali

Gazeta Si – Falë një gjurmë gishti të marrë nga një foto, karabinierët e Firences, shkatërruan tre organizata të dyshuara të përfshira në trafikun e drogës midis Italisë, Shqipërisë dhe Zvicrës.

Në mëngjesin e të mërkurës, 14 shtator, u kryen arrestime dhe kontrolle. Dymbëdhjetë persona, përfshirë tre italianë (një nga Firence) dhe të tjerët shqiptarë, u arrestuan nën masa paraprake në burg në Firence, Massa, Avellino, Teramo, Varese, Shqipëri dhe Zvicër, me akuzën e grupit kriminal me qëllim trafikimin ndërkombëtar të drogës.

Njëzet persona të tjerë, shqiptarë dhe italianë, janë nën hetim për posedim me qëllim shitjeje.

Gjatë hetimit, i cili filloi në vitin 2020, u sekuestruan 2 kilogramë kokainë, 22 kilogramë marijuanë dhe 500 gramë hashash.

Hetimi, i udhëhequr nga prokurori Leopoldo De Gregorio, u nxit nga një foto.

E kaluar nga një bisedë në tjetrën, ajo tregonte një dorë që mbante një dozë kokaine, e ndjekur nga komenti: “Droga është me cilësi të shkëlqyer”.

Fotografia u kap nga karabinierët. Hetuesit italianë morën një gjurmë gishtash dhe e gjurmuan atë te një person nga Firence, i cili u burgos sot për shkak se ishte kreu i njërës prej tre organizatave të trafikimit të drogës.

Një bandë, e përbërë ekskluzivisht nga shqiptarë, besohet se ka qenë e përfshirë në importimin e kokainës nga Holanda në Itali.

Një tjetër besohet se ka eksportuar hashash dhe marijuanë nga Firence në kantonin e Zyrihut në Zvicër.

Një grup i tretë, një degë e të parit dhe i organizuar nga një grua shqiptare, dyshohet se ka importuar hashash nga Zvicra në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë