Nga Gazeta “SI”– Kërkimi për jetë jashtëtokësore ka shënuar një hap të ri të rëndësishëm. NASA ka njoftuar se roveri Perseverance, i cili po eksploron Marsin që prej vitit 2021, ka zbuluar në kraterin “Jezero” komponime organike dhe minerale që, në Tokë, shpesh lidhen me mjedise të përshtatshme për mikroorganizma. Rezultatet, të botuara në revistën Nature, flasin për praninë e molekulave të karbonit, si dhe mineraleve vivianit dhe greigit, të cilat mund të kenë origjinë biologjike ose kimike.
Shkencëtarët theksojnë se vetëm analizat laboratorike në Tokë do të mund të përcaktojnë nëse këto gjurmë lidhen me mikrobe të lashta apo me procese gjeologjike natyrore. Krateri Jezero u zgjodh për uljen e roverit sepse dikur ka qenë një liqen i madh i ushqyer nga lumenj, duke krijuar kushte ideale për ruajtjen e sedimenteve dhe mineraleve. Deri tani, Perseverance ka grumbulluar 30 mostra, të ruajtura në tuba titaniumi, të cilat pritet të sillen në Tokë nga një mision i ardhshëm.

Një nga zbulimet më premtuese është mostra “Sapphire Canyon”, e mbledhur në vitin 2024, e cila përmban gjurmë kimike të veçanta. Analizat tregojnë se përbërja e saj është e pasur me molekula organike dhe minerale që në Tokë lidhen ngushtë me mjedise ujore dhe me aktivitet biologjik mikrobik.
Pamjet dhe ekzaminimet mikroskopike kanë zbuluar gjithashtu struktura të çuditshme, të quajtura nga studiuesit “fara lulëkuqeje” dhe “njolla leopardi”, të cilat përmbajnë përqendrime të larta karboni dhe mineralesh. Një zonë e veçantë, e pagëzuar “Tempulli i Apollonit”, ka dhënë rezultatet më të pasura, duke kombinuar vivianitin, greigitin dhe molekulat organike në mënyrë që kujton mjedise mikrobike tokësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



