Drejtësia

Gjyqi për ‘Partizanin’ / Të pandehurit kërkojnë rrëzimin e akuzave, avokati i Berishës: Yuri Kim, presion SPAK-ut

Gazeta Si – Sali Berisha dhe të pandehurit e tjerë të dosjes “Partizani”, kanë kërkuar rrëzimin e akuzave të SPAK me argumentin se janë të pavlefshme dhe pas asnjë bazë ligjore. Pas disa orësh, u vendos që seanca gjyqësore të vijojë më 29 shtator, në orën 11:00.

Në seancën e parë në themel në GJKKO, e cila u mbajt këtë të hënë, me përjashtim të ish-dhëndrit të kryeministrit, Jamarbër Malltezi, të tjerët u përfaqësuan nga avokatët e tyre.

Edhe pse zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në SPAK, ku sulmoi Altin Dumanin, Berisha zgjodhi të mungonte në GJKKO.

Genc Gjokutaj, avokati i Berishës, kërkoi pavlefshmëri absolute të akteve për marrjen të pandehur dhe njoftimin e akuzës për ish-kryeministrin.

Në sallë, Gjokutaj hodhi akuza se ish-ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim ka ushtruar presion në SPAK për të ndjekur penalisht Berishën.

“Prokuroria ka tejkaluar kompetencat e saj kushtetuese në ngritjen e akuzës duke u bazuar në opinione. Ambasadorja Kim ka ushtruar presion në SPAK për të ndjekur penalisht Berishën”, tha avokati Genc Gjokutaj.

Të njëjtën kërkesë bëri dhe Klodjana Gjyzari, mbrojtësja tjetër e Berishës, duke kërkuar kërkoi pavlefshmëri të vendimeve të marra nga gjyqtarja e hetimit paraprak, Irena Gjoka.

“Mandati i Irena Gjokës duhet të kishte mbaruar që në vitin 2016. Irena Gjoka ka qenë e dënuar me vendim të formës së prerë. Jemi vënë në dijeni që dokumenti që ne kemi dorëzuar, është vlerësuar autentik nga Prokuroria e Përgjithshme. Kjo tregon që vendimi ndaj Irena Gjokës është i vërtetë”, tha Gjyzari.

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, e ka konsideruar proces politik gjyqin ndaj të GJKKO që nisi sot për aferën “Partizani”.

Në përfundim të seancës, duke folur për mediat, Malltezi pretendoi se dokumenti i akt-akuzës ka falsifikime.

Ai hodhi sërish akuza ndaj gjyqtares së GJKKO, Irena Gjoka, për të cilën tha se ka qenë e dënuar në Greqi dhe ndaj saj nuk është marrë asnjë masë.

Sipas tij, gjyqtarja Gjoka mbrohet nga kryeministri dhe është përdorur si “kamikaze politike” kundër opozitës.

Edhe të pandehurit e tjerë, Xhimi Begeja e Andia Pustina kërkuan pavlefshmëri të kateve, ndërsa biznesmeni Fatmir Bektashi do t’i paraqesë kërkesat e tij në seancën e radhës, e cila do të mbahet më datë 29 shtator ora 11:00.

Më herët gjatë ditës së sotme, Sali Berisha u paraqit në SPAK për të zbatuar masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’.

Pasi doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Berisha nuk i kurseu akuzat ndaj kreut të saj Altin Dumanit për favorizimin që sipas tij po i bëhet Ramës dhe anëtarëve të qeverisë së tij në aferat korruptive apo kriminale ku Berisha pretendon se ata janë përfshirë.

Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë”, kryer në bashkëpunim, ndërsa Jamarbër Malltezi për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Të pandehur në këtë çështje janë gjithashtu edhe Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.

Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë