Drejtësia

Berisha sulmon kreun e SPAK: Dumani kriminel kushtetues! I dështoi zgjatja e mandatit

Gazeta Si – Ndërsa sot u zhvillua pjesërisht seanca e radhës ndaj të pandehurve për aferën “Partizani”, kryedemokrati Sali Berisha zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, por si gjithnjë, nuk i kurseu akuzat e ashpra ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, duke e cilësuar “kriminel kushtetues”.

“Altin Dumani po shkulte leshrat, po qante dhe bërtiste, sepse u bënë pluhur përpjekjet e tij puçiste antikushtetuese për të zgjatur mandatin. Ky kriminel kushtetues përdori detyrën, besimin dhe ligjin për të bërë pazare për interesa personale. Ky kriminel kushtetues amnistoi ministra që bënin pazare me kartelet e drogës, Taulantin që zbatonte porositë e Suelit për të arrestuar kundërshtarët e bandës së Suelit. Taulantin, që urdhërohej nga Çela për të liruar terroristët që vendosën nën shalën e biçikletës së Lulzim Kullës tritolin”, deklaroi Berisha pas vizitës së shkurtër në këtë institucion”, – u shpreh Berisha.

Berisha shtoi se Dumani do të largohet nga SPAK si puçist. Berisha thotë se Dumani mori përgjigjen përfundimtare nga DASH, ndërsa tha se mandati i përfundoi dhe Dumani duhet të heqë dorë nga përpjekja për ta zgjatur.

“Troplini mori një përgjigje përfundimtare, mandati i tij skadon në dhjetor dhe ky largohet si kryetar i këtij institucioni si një puçist që e zhyti në krim, që fjeti mbi dosjet e krimit dhe që unë e garantoj se për secilën prej tyre do përballet me ligjin. Kjo prokurori është prokurori e shtetit dhe nuk është e asnjë individi, – vijoi kryedemokrati. – Dhe ai do përballet me ligjin. E vlerësoj dhe e çmoj shumë qëndrimin e ri të Departamentit të Shtetit në SHBA, i shprehur nga përfaqësuesja e këtij vendi në Tiranë se mandati i tij mbaron dhe kjo nuk ka komente. Ndërkohë që më parë kishte një qëndrim tjetër. Dhe e garantoj DASH se ky qëndrim i ri është një ndihmë e vërtetë për luftën kundër krimit dhe karteleve të drogës në Shqipëri.

Kreu i PD vijoi me pretendimet e tij se, Dumani “bën pazare me krimet e Ulsi Manjës apo të kryeministrit Edi Rama”.

“Merrte dy kostume të bukura nga Altin Hajri dhe që kërkonte nga banditët dhe trafikantët 500 mijë euro dhe çantën Louis Vuitton se i duhej për zonjën. Pazare me Edi Ramën sepse e nxori Olsin të panjohur, në një kohë kur Olsi ishte absolutisht në krye të organizatës kriminale të grupit të Xibrakës që drejtohej nga Hakmarrja për Drejtësi”, tha ai.

Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, kryer në bashkëpunim, ndërsa Jamarbër Malltezi për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Të pandehur në këtë çështje janë gjithashtu edhe Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.

Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë