Para

Guvernatori Sejko: Të gjitha bankat në vend janë pranuar në SEPA. Operimi nis më 7 tetor

Nga Gazeta ‘SI’ – Guvernatori i BSH, Gent Sejko, i ftuar në konferencën e ambasadorëve, tregoi se rruga e Shqipërisë drejt SEPA-s është drejt finalizimit.

Sejko tha se të gjitha bankat e vendit janë pranuar dhe operimi do të nisë nga 7 tetori i këtij viti.

Ai deklaroi se kjo është arritje e madhe Shqipëria konsiderohet si e integruar në Bashkimin Europian në aspektin e pagesave në fushën financiare.

Gjithashtu theksoi se është hap mjaft i madh për vendin pasi ka efekte të konsiderueshme jo vetëm në kursimin e parave nga ulja e komisioneve, si edhe ka efekt pozitiv në imazhin e vendit dhe rritjen e investimeve të huaja.

“Të gjitha bankat kanë aplikuar në sistemin europian të pagesave, pasi është Komisioni Europian i pagesave që certifikon dhe ndjek procesin. Të gjitha janë pranuar dhe 7 tetori do të jetë dita kur bankat, sistemi bankar shqiptar do të jetë funksional dhe do të fillojë kryerjen e pagesave e transfertave në sistemin SEPA.

Kjo është arritje e madhe pasi e konsideron Shqipërinë të integruar në bashkimin europian në aspektin e pagesave në fushën financiare. Është një hap mjaft i madh, i mirë për Shqipëri, ka efekte të konsiderueshme jo vetëm në kursimin konkret të parave për ekonominë nga ulja e komisioneve, komisionet do jenë të paktë 5 herë më të ulta krahasuar me ato tani, qoftë për individët, qoftë për bizneset, por gjithashtu është efekt pozitiv në imazhin e vendit dhe rritjen e investimeve të huaja.

Ekonomia e Shqipërisë ka ardhur në rritje, ne si bankë parashikojmë që edhe në afatin e shkurtët dhe të mesëm rritja ekonomike do të vazhdojë me të njëjtat ritëm 3.5-4%, turizmi është një nga sektorët kryesorë që ndikon”, u shpreh ndër të tjera Sejko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë