Gazeta Si – Autoritetet mjeko-ligjore spanjolle kanë marrë ADN-në e vëllait dhe vajzës së Miklovan Danajt, për të vërtetuar shkencërisht nëse personi i gjetur i vdekur në brigjet e Marbellës, i cili dyshohet se është vrarë, është familjar i tyre apo jo.
Në pritje të përgjigjes zyrtare, mësohet se zyrtarisht, familjarëve të tij në Spanjë dhe në Shkodër nuk iu është komunikuar se trupi i pajetë është i 30-vjeçarit, kjo derisa ekspertiza të përcaktojë nëse kanë përputhje gjenetike.
Sipas burimeve paraprake, rezulton se Miklovan Danajt, i njohur me emrin Keli, i janë gjetur dy palë dokumente shqiptare. Hetimi, i cili po ndiqet nga pala spanjolle, mësohet së është përqendruar tek pazaret e drogës.
Pas denoncimit të familjarëve për mundësinë e zhdukjes, nisën hetimet për të zbardhur ngjarjen. Nga pamjet e kamerave të sigurisë në Spanjë u zbulua se personi i fundit që Danaj kishte takim ishte Juxhin Drazhi, i cili rezulton i arrestuar më vonë për llogari të SPAK për trafik kokaine, pjesë e grupit të Elvis Doçit, i njohur si “Visi i Pojës”.
Drazhi do të merret në pyetje edhe për zhdukjen e Danajt, por deri më tani nuk ka prova konkrete që e lidhin atë me zhdukjen.
Policia spanjolle ka marrë në dispozicion edhe mesazhet në Telegram dërguar bashkëshortes ku njoftohej të mos e kërkonin Dakajn pasi ishte hedhur në det, por dekodimi është i vështirë për gjurmimin nga kush dhe ku është dërguar mesazhi.
Ndërkohë, edhe policia shqiptare ka nisur hetimet në vendin tonë në rrugë operative në lidhje me gjetjen në Spanjë të trupit të pajetë të Miklovan Danajt.
Në funksion të hetimit policia shqiptare ka nisur me verifikimin në vendin tonë të marrjes në pyetje të familjarëve të Danajt e po ashtu mbi dijeninë që ata kanë për aktivitetin e tij.
Sipas burimeve, mësohet se ka nisur edhe verifikim në disa shtete si Itali apo Holandë në lidhje me aktivitetin e Danajt.
Pak javë më parë, të afërmit e Miklovan Danajt kanë marrë një telegram që paralajmëronte për vdekjen e tij dhe u kërkonte të mos e kërkonin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



