Drejtësia

Berisha në SPAK, akuza drejtësisë dhe qeverisë: Sistemi i Soros-it, me tentakula në Shqipëri

Gazeta Si – Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, u paraqit mëngjesin e kësaj të hëne, 1 shtator në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për zbatimin e masës “detyrim paraqitje”, ku është i pandehur për korrupsion për aferën e klubit sportiv “Partizani”.

Ashtu si çdo herë, ku mbështetësit e tij besnikë e kanë pritur me duartrokitje në hyrje të godinës, Berisha vijoi me akuzat në drejtim të SPAK dhe kreut të saj, Altin Dumani. “Bashkëpunimi me krimin, do marrë dënimin e merituar”, tha ai për gazetarët.

“Sistemi i reformës së Soros i ka tentakulat në Shqipëri”, shtoi ai, duke vënë theksin te kërkesa e Presidentit amerikan Donald Trump, për arrestimin e George Soros dhe djalit të tij.

Kryeministrin Edi Rama e cilësoi “produktin më kriminal të Sorosit në Europë“. “Në Shqipëri kjo organizatë është e plotfuqishme, e stërfuqishme, e përfaqësuar nga Edi Rama dhe familjarët e tij më të afërt, ish-bashkëshortja dhe bashkëshortja, përfituese të miliona e miliona eurove. Mos harroni se Altin Troplini u dekorua pas arrestimit të Sali Berishës nga Antony Blinken, nga një i pafytyrë, anëtar i organizatës kriminale të Sorosit, që nuk hyn sot në zyrat federale të vendit të tij”, deklaroi Berisha.

Berisha vazhdoi me të njëjtën retorikë për gjyqtaren e GJKKO-së, Irena Gjoka, të cilën nuk heziton ta quajë “një kriminele, mashtruese dhe një ordinere”.

“Si mor nuk guxoni të thoni një fjalë për të arratisurin, Endri Fuga? Si ka mundësi?”, iu drejtua ai mediave në vend. “UIuzi Hajri, merr mbiemrin e Altin Hajrit”, tha për ministrin e Drejtësisë.

Kreu i demokratëve u shpreh se pavarësisht denoncimeve të njëpasnjëshme, SPAK dhe kreu i saj nuk kanë reaguar për anëtarët e qeverisë, Taulant Ballën dhe Ulsi Manjën, i cili sipas tij kanë lidhje me grupet kriminale dhe dalin në shumë përgjime.

“Ndaj dhe sot dhe përgjithmonë ai do të mbetet në analet si Altin Troplini dhe avokatit të karteleve të drogës. Ju jeni dëshmitarë se kam paraqitur para jush bashkëpunimin e Ballës me Suel Çelën. Bisedën e famshme ku i thotë Suelit se, ‘ne po i arrestojmë kundërshtarët dhe ju do jepni votat’. Bisedën tjetër telefonike, ku Sueli i thotë Ballës se duhet të shkonte të nxirrte nga burgu dy terroristë që i vunë tritolin Lulzim Kullës në biçikletë. Dhe këta të dy, Tao u liroi bashkë me Hallullën, që është në një organ drejtësie. Altin Hajri i thotë Çyrbjes, ‘shif pak ,merrja pak masat atij Olsit, se u soll mirë’. Ai nuk ishte Olsi Rama, por Ulsi Manja. Manja tani ka një numër të madh kostumesh në gardërobën e tij. Të gjitha këto mbrohen nga Altin Troplini. Por bashkëpunimi i tij me krimin do të marrë ndëshkimin e merituar”, tha Berisha. 

Më 19 maj të këtij viti, Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” për të cilën janë marrë të pandehur kryedemokrati Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, ndërtuesi Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe juristja Andia Pustina.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë