Nga Gazeta ‘SI’ – Në tremujorin e dytë të vitit 2025, INSTAT raporton se janë miratuar 352 leje ndërtimi për një sipërfaqe 278.389 metër katrorë, shifra dukshëm më të ulëta se periudhat paraadhëse.
Kjo, shpjegon INSTAT vjen si pasojë e mungesës së statistikave nga institucionet përgjegjëse për ndërtimin dhe thekson se shifrat publike janë marrë nga raportet e bashkive.
“Botimi i statistikave mbi lejet e ndërtimit mbështetet aktualisht vetëm në të dhënat e siguruara nga bashkitë, të cilat janë autoritetet kryesore për dhënien dhe raportimin e këtyre lejeve. Duke qenë se ende nuk ka një raportim të standardizuar dhe të plotë nga të gjitha këto ente pranë INSTAT, të dhënat e publikuara për tremujorin e dytë bazohen vetëm në burimet bashkiake. Për këtë arsye, publikimi aktual nuk mund të krahasohet plotësisht me periudhat e ardhshme, deri në momentin që të gjitha institucionet përgjegjëse do të përfshihen në mënyrë të unifikuar në procesin e raportimit statistikor”, shpjegon INSTAT.
Me shifrat e disponueshme, vlera e përafërt e projekteve të miratuara (që përfshin si ndërtesat ashtu edhe punimet inxhinierike) ra ndjeshëm, duke zbritur në 18,4 miliardë lekë, nga 33,7 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërtimet për banim përbëjnë pjesën më të madhe të lejeve të reja, me 271 leje dhe një sipërfaqe ndërtimi prej 119.051 m², ndërsa ndërtesat jo-rezidente – si hotele, qendra tregtare dhe ndërtesa industriale – përfaqësojnë pjesën tjetër, me 81 leje dhe një sipërfaqe prej 159.338 m².
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



