Nga Gazeta ‘Si’- Dështon sërish seanca e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosja propozoi të premten kandidaturën e Hekuran Muratit për kryeparlamentar, por ai nuk arriti të merrte miratimin e shumicës së deputetëve.
Murati mori vetëm 57 vota pro, ndërsa kundër votuan 52 deputetë e 6 abstenuan.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se PDK-ja nuk votoi për Hekuran Muratin, pasi, sipas tij, ky subjekt politik e ka bërë të qartë se nuk voton ministrat e qeverisë së kaluar.
Krasniqi tha se Vetëvendosje propozoi emrin e Hekuran Muratit për kryetar të Kuvendit, pavarësisht se e ka ditur që ai nuk do t’i merrte votat e nevojshme për këtë pozitë.
Ai shtoi se “LVV nuk po dëshiron të konstituojë Kuvendin” me qëllim që të zvarrisë formimin e institucioneve të reja.
Krasniqi tha se PDK-ja është e gatshme të votojë rreth tridhejtë emra të tjerë të Vetëvendosjes për kryetar të Kuvendit, por në asnjë rast ata që kanë mbajtur postin e ministrit në mandatin e kaluar.
Duke e quajtur të pakuptimtë insistimin e LVV-së për votimin e kandidatëve që kanë qenë ministra, Krasniqi tha se nuk përjashtohen zgjedhjet, por sipas tij duhet të plotësohen kushtet.
“Zgjedhjet do të jenë të pashmangshme, por mekanizmi për të shkuar në zgjedhje duhet të ekzistojë dhe të përmbushet. Mënyra për të shkuar në zgjedhje është që fillimisht të konstituohet Kuvendi”, shtoi Krasniqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



