Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se ekzekutivi që ai udhëheq i ka respektuar të gjitha aktgjykimet e lëshuara nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Kështu ai iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nëse ai dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, do të respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.
Më 8 gusht, Kushtetuesja nxori njoftimin për aktgjykimin për këtë çështje, por ende gjykata më e lartë në vend nuk e ka publikuar aktgjykimin e plotë.
“Nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që Qeveria e Kosovës me mua si kryeministër nuk e ka respektuar. Dhe, nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, të cilin edhe unë si kryetar i LVV-së, si subjekti më i madh në vend e Kuvend, nuk e kam respektuar. Por, kur më pyesin sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese kjo më bën të mendoj që do të jetë pazakonshëm i padrejtë, i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Kurti.
Sipas njoftimit, Kushtetuesja ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.
Ky afat njëmujor do të nisë sapo të publikohet aktgjykimi i plotë, që ende nuk dihet se kur do të ndodhë.
Njoftimi i Kushtetueses është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga LVV-ja e Kurtit.
LVV-ja e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) foli për rrëzimin e diktatit.
Sipas Ligjit për Gjykatën, vendimet e Kushtetueses duhet të jenë në formë të shkruar, të arsyetuara dhe nënshkruara, nga kryetari i gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtari raportues.
Kurse, rregullorja e punës së Gjykatës thotë se sekretaria i publikon aktgjykimet menjëherë pas nënshkrimit.
Mirëpo, për këtë çështje nuk ka një afat të caktuar kohor. Për afat nuk flitet as në rregulloren e punës e as në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Në të kaluarën, gjykatës i janë dashur deri në dy javë për publikimin e plotë të aktgjykimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



