Në Shqipëri, rreth 1 në 4 të rinj të moshës 15-29 vjeç nuk janë as në shkollë, as në punë. Në Tiranë, shifra rritet në 27%, duke e bërë kryeqytetin epiqendrën e këtij fenomeni alarmues. Ky grup, i njohur si NEET (Not in Employment, Education or Training), përfaqëson një brez që po mbetet pas – i harruar nga tregu i punës, sistemi arsimor dhe politikat publike.
Shumica janë në kërkim pune, por pa sukses. Të tjerë kanë vetëm arsim bazë, ose janë detyruar të heqin dorë për arsye familjare – veçanërisht gratë e reja. Ka edhe nga ata që janë të papunë prej më shumë se një viti, të izoluar nga rrjetet sociale dhe pa mbështetje për të rifilluar.
Një problem me rrënjë të thella
Përmasat e këtij fenomeni nuk mund të shpjegohen vetëm me mungesën e vendeve të punës. Analizat tregojnë se rreth 13% e të rinjve NEET janë në kërkim aktiv të punës, por pa sukses. Një 14% tjetër janë inaktivë – të shkëputur plotësisht nga tregu i punës dhe nga arsimi, shpesh të zhgënjyer ose të dorëzuar përballë mungesës së shpresës.
Situata bëhet më e rëndë kur shohim se 35% e të rinjve NEET në Tiranë kanë vetëm arsim bazë, duke i vënë ata në një pozitë edhe më të pafavorshme përballë një tregu pune gjithnjë e më kërkues. Si mund të pretendojmë zhvillim, kur arsimi dhe formimi profesional mbeten kaq të shkëputur nga realiteti ekonomik?
Çfarë mund të ndodh ?
Pasojat nuk janë vetëm individuale – janë kombëtare. Humbja e kapitalit njerëzor, rritja e varfërisë, emigrimi masiv, zhgënjimi shoqëror dhe rritja e pabarazisë janë vetëm disa nga efektet që po ndjehen dhe do thellohen nëse nuk merren masa urgjente.
Ky nuk është vetëm një problem social, por një krizë zhvillimi.
Ky është brezi që nuk duhet të harrohet.
Në vend që të jetë barrë, rinia mund të jetë forcë. Por kjo kërkon investim të qëndrueshëm në arsim, trajnime praktike, mundësi punësimi dhe mbështetje sociale – jo nesër, por sot.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



