Rend dhe Ligj

Bilanci i zjarreve, në më pak se tre muaj janë arrestuar 46 zjarrvënës

Gazeta Si – Që prej muajit qershor e deri më datë 14 gusht, gjithsej 137 persona janë identifikuar si autorë të zjarrvënieve në zona të ndryshme të vendit.

Sipas policisë, 46 prej tyre janë arrestuar, ndërsa 91 të tjerë janë proceduar penalisht. Me anë të një njoftimi zyrtar, policia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos tentojnë të ndezin zjarre për të djegur mbeturinat apo prodhime bujqësore për të pastruar territorin pasi ky veprim përbën vepër penale.

“Thirrje për të gjithë banorët: mos ndizni zjarr për djegien e mbetjeve të prodhimeve bujqësore apo për pastrimin e territorit, pa njoftuar dhe marrë masa me instancat përgjegjëse. Shkaktimi i zjarrit, me qëllim apo nga pakujdesia, është vepër penale dhe Policia e Shtetit po punon, në bashkëpunim me banorët, për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të gjithë atyre që shkaktojnë zjarre”- thuhet në njoftim.

Me situatën e zjarreve që paraqitet e rëndë në vendin tonë, ku sipas Sistemit Evropian për Zjarret në Pyje deri më tani për vitin 2025 janë shkrumbuar 49 mijë hektarë pyje me 93 vatra zjarri të identifikuara, policia ka bërë edhe një bilanc të zjarrvënieve të qëllimshme të konstatuara prej tyre.

Strukturat e policisë po ashtu po kontrollojnë dhe monitorojnë zonat me dronë, për të identifikuar në kohë personat që shkaktojnë zjarr, duke djegur pronën private, banesa, pyje, kullota dhe, në shumë raste, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve, punonjësve të Policisë, zjarrfikësve dhe Emergjencave Civile.

Policia e Shtetit ka dhe një apel për të gjithë qytetarët që të mos shkaktojnë zjarre, ndërsa ua bën edhe njëherë të qartë blegtorëve dhe fermerëve se ata janë përgjegjës për tokat dhe kullotat që kanë në pronësi apo në përdorim.

Aktualisht situata paraqitet më e përmirësuar teksa banorët e fshatrave të rrezikuar nga flakët në Gramsh po nisin të rikthehen në banesat e tyre për t’u rimëkëmbur nga dëmet që la pas zjarri i përmasave të paimagjinueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë