Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka kërkuar përfaqësuesit të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, që procesi negociues në Bruksel të jetë i drejtë, i paanshëm dhe me objektiva të qarta.
Sorensen më 6 gusht po zhvillon takime me krerët shtetërorë në Kosovë.
“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi”, u tha në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Përveç dialogut, sipas Presidencës së Kosovës, Osmani dhe Sorensen kanë folur edhe për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës nga blloku evropian.
Osmani i ka cilësuar këto masa të padrejta, dhe ka thënë se ato prekin “më së shumti qytetarët e Kosovës”.
BE-ja veçse ka njoftuar se ka nisur heqjen e masave, por nuk ka treguar se cilat masa janë hequr deri më tani.
Në këtë takim, Osmani po ashtu ka folur me emisarin evropian për arrestimet e shtetasve të Kosovës në Serbi “duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës”.
Pas takimit me Osmanin, Sorensen ka shkuar në Qeverinë e Kosovës për një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Vizita e emisarit evropian për dialogun vjen në kohën kur Serbia ka paralajmëruar se nuk mund të ketë dialog me Kosovën, për normalizimin e raporteve, pa lirimin e një zyrtari të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.
Igor Popoviq u ndalua në Kosovë më 18 korrik. Ndaj tij, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, pasi gjatë një fjalimi në Rahovec e kishte quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.
Raundi i fundit i dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja, ishte mbajtur më 10 qershor. Pas këtij takimi mes kryenegociatorëve të dy shteteve, Sorensen deklaroi se po bëheshin përgatitje për një takim të nivelit të lartë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



