Gazeta Si – Në një kohë që SPAK është në fazën e hetimit paraprak për dosjen hetimore për vrasjen e 4 protestuesve në bulevardin para kryeministrisë më 21 janar 2011, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se ai vetë e ka cilësuar “krim shtetëror” para se një gjë të tillë ta thoshte gjykata e Strasburgut.
Berisha tha se ndryshimi është se ai ishte një krim i kryer pa dashje dhe se vrasja e protestuesve nuk ishte qëllimi. Përsa i takon akuzave se ai ka dhënë urdhër, Berisha e mohoi kategorikisht një gjë të tillë.
“A mund të shkosh pak të lexosh fjalimet e Sali Berishës vite me radhë përpara ku e kam quajtur krim shtetëror. E kam quajtur unë përpara. Sepse unë nuk mund të them se ata nuk u vranë nga njerëz të shtetit. Por krim shtetëror, është me dashje dhe pa dashje. Ka klasifikim krimi shtetëror. Krimi shtetëror me dashje ka rregullat e veta kur konsiderohet i tillë, – u shpreh Berisha, pasi doli nga SPAK, ku zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për aferën “Partizani”. – Garda ka patur një ligj. Unë e kam thënë 6 vite para që është krim shtetëror pa dashje. Por ka një dallim në rast të një krimi shtetëror, dëmshpërblimi nga shteti kundrejt viktimës është më i madh. Këta janë dëmshpërblyer me shuma që nuk e di nëse afrohen në shkallën e duhur apo jo. Pra para se ta thotë gjykata, e kam thënë unë përpara. Ata u vranë nga armë të shtetit, por nuk ishte qëllim vrasja. Nuk ka patur asnjë urdhër për vrasjen e tyre”.
Berisha pranon se protestuesit, “u vranë nga armët e shtetit, por nuk ishte qëllim vrasja. Dhe është faktuar kjo që them. Nuk ka patur absolutisht asnjë urdhër. Aq sa është përgjegjës Edi Rama direkt që i solli aty. Ka një deklaratë të qeverisë amerikane aty, që thotë të hetohet nga polici, tek organizatori. Ka një deklaratë tjetër, që demonstrata ishte e dhunshme dhe kishte axhendë politike. Edi Rama është përgjegjësi kryesor”, tha Berisha.
Ditë më parë, kreu i SPAK Altin Dumani tha se dosja e 21 janarit po hetohet me prioritet dhe se është ende në fazën e hetimeve paraprake
Dosja e “21 Janarit” po hetohet nga SPAK, ku në procedimin penal janë regjistruar 3 akuza; vrasje në rrethana të tjera cilësuese, shpërdorim detyre dhe kryerje e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Në trazirat e 21 Janarit 2011, gjatë një proteste të opozitës së atëhershme para kryeministrisë, mbetën të vrarë 4 protestues, Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Dedja dhe Faik Myrtaj, në kohën kur shefi i qeverisë ishte Sali Berisha.
Por teksa sot Sali Berisha e cilëson “krim shtetëror pa dashje” ngjarjen e “21 Janarit”, kryedemokrati nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim përgjatë viteve.
Kreu i PD pranoi sot që 4 protestuesit e ndjerë u vranë nga armët e shtetit, por në vitin 2011, fill pas mbylljes së demonstratës, Berisha doli në një konferencë për shtyp, ku deklaroi se protestuesit ishin vrarë nga brenda turmës me pistoleta çadër.
Në funksion të këtij versioni, doli edhe një mjek i Spitalit Ushtarak, i cili tha se plagët e viktimave ishin shkaktuar nga afër.
Por, vetëm disa orë më pas, kur u shfaq videoja e vrasjes së Ziver Veizit nga gardisti Agim Llupo, Berisha ndryshoi version, por shtoi se Garda kishte zbatuar ligjin, pasi demonstruesit ishin vrarë brenda rrethimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



