Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama ka reaguar për opinionet e kundërta që janë shprehur për Draftin me ndryshimet në Kodin e Ri Penal, përfshi edhe ato të shoqatave të gazetarëve që bënë thirrje për ndërhyrje urgjente.
Rama sqaroi se qeveria nuk ka qenë pjesëmarrëse në hartimin e draftit, por është një nga palët e interesuara dhe është duke e shqyrtuar draftin e ndërtuar sipas kryeministrit nga ekspertë të fushës.
Gjithashtu ai iu përgjigj edhe institucioneve të drejtësisë, që u shprehën kundër këtij Drafti, duke u kërkuar që “të mos bëjnë deklarata qesharake”, por të ulen dhe të diskutojnë me ekspertët për ndryshimet e nevojshme.
Shoh që disa shoqata gazetarësh na kanë bërë një thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të Ri Penal, çka tregon se ata që duhet të informojnë publikun për procesin e saponisur të diskutimit të këtij drafti nuk e kanë kuptuar akoma (edhe pse u tha shumë…
— Edi Rama (@ediramaal) August 1, 2025
Me një postim në rrjetin social X, Rama shprehet se ky Draft pasi të konsultohet dhe diskutohet nga të gjitha palët e ftuara, përfshi edhe Qeverinë, do të konsultohet gjithashtu edhe me Komisionin Europian dhe në fund për të marrë ‘vulën’ e BE-së, pasi pa vendimin e saj ky Kod nuk kalon.
“Pasi të bëhen të gjitha ballafaqimet e grupit të punës me të gjitha palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar e do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament!”, shprehet Rama mes të tjerash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



