Politike

Rama kritika gjyqtarit Balliu: Pallatin e konfiskuar e kaloi në favor të ndërtuesit të paligjshëm

Nga Gazeta ‘Si’- Pas prokurores Elsa Gjeli, kryeministri Edi Rama adreson kritika ndaj një tjetër përfaqësuesi të sistemit të drejtësisë, gjyqtarit Hazbi Balliu, duke e akuzuar se ka marrë një vendim në favor të ndërtuesve të paligjshëm dhe në dëm të interesit publik.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Rama thotë se të dy, Gjeli dhe Balliu, janë vendosur “në llogoren e Antiligjit dhe Antishtetit”, duke penguar shtetin në luftën kundër paligjshmërisë.

Rama i referohet rastit të një pallati pa leje në Tiranë, i konfiskuar nga shteti dhe vendosur në përdorim të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, por që sipas vendimit të gjyqtarit Balliu, konsiderohet si pronë e ligjshme e ndërtuesve.

Rama akuzoi institucionet e pavarura të qeverisjes së gjyqësorit që, sipas tij, prej kohësh po provojnë inekzistencën e tyre në raport me “abuzime ulëritëse prokurorësh e gjykatësish të çdo niveli.”

“Njerëzit që na votojnë e kërkojnë llogarinë tek ne për qëndrimet Antiligj e Antishtet të njerëzve të drejtësisë së pavarësuar totalisht nga ekzekutivi. Po ne ku ta kërkojmë llogarinë në emër të interesave të tyre dhe të vetë shtetit, për këto e shumë thika të tjera pas shpinës që Republika jonë dhe plot qytetarë të saj marrin nga Gjelat e Ballinjtë brenda sistemit të drejtësisë, të cilët paguhen prej taksave të shqiptarëve më shumë e shumë më shumë se sa të gjithë rrogëtarët e tjerë të këtij shteti!”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë