Sociale

Familjet me ndihmë ekonomike do të marrin ujë falas deri në 5m kub në muaj

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka miratuar një skemë të re subvencionimi për konsumin e ujit.

Familjet në nevojë nuk do të paguajnë tarifë uji deri në 5m3 ujë në muaj, përllogaritur si sasia e nevojshme jetike.

Zbritja do të aplikohet automatikisht në faturat mujore dhe pa nevojë për aplikim nga qytetarët. Bashkitë i dërgojnë shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve listat e individëve përfitues, dhe këto të fundit janë të detyruara të aplikojnë uljen përkatëse në faturat mujore të ujit.

Skema përfshin të gjitha familjet që përfitojnë nga ndihma ekonomike sipas legjislacionit në fuqi, por edhe kategori të tjera sociale, si personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit pa mbështetje apo individë në kushte të vështira. Skema synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve në vështirësi dhe të garantojë akses të barabartë në një shërbim jetik siç është uji i pijshëm.

Në këtë rast, kostot mbulohen nga vetë fondet e shoqërisë, deri në lidhjen e marrëveshjes me AKUK-në. Në rast se pas subvencionimit për familjet në nevojë mbetet fond i papërdorur, ai mund të shfrytëzohet për mbulimin e kostove të energjisë elektrike nga shoqëritë UK, por vetëm në rastet kur ato prodhojnë mbi 75% të ujit përmes ngritjes mekanike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë