Gazeta Si – Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka ka dalë kundër draftit të ri të Kodit Penal, duke e cilësuar si një nismë të nxituar, pa reflektim të thelluar shoqëror dhe me pasoja të rënda për sistemin e drejtësisë në vend.
Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme, Çela thekson se përpara çdo diskutimi mbi një draft të ri, do të ishte e domosdoshme një reflektim i gjerë shoqëror mbi vetë nevojën për ndryshim.
Ai kujton se Kodi Penal në fuqi, që nga viti 1995, është përshtatur vazhdimisht me realitetin përmes ndërhyrjeve të shumta, ndaj nuk mund të pretendohet se është i vjetëruar apo i papërshtatshëm për kohën.
Ai thekson se ndryshimi i kodit duhet të burojë nga një nevojë e thellë historike dhe jo si veprim i nxituar institucional, që rrezikon të minojë funksionimin e drejtësisë.
“Mungesa e këtij procesi përbën një gabim fatal strukturor në ngritjen e kësaj ngrehine, që në vend se të ishte produkt i një rrjedhe të natyrshme institucionale dhe shoqërore si domosdoshmëri historike, në fakt nuk përfaqëson më shumë se një veprim të nxituar që rrezikon të minojë në mënyrë të pariparueshme mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në vend“, – thotë Çela.
Në këtë kontekst, ai sjell në vëmendje shembullin e vitit 1995, kur Shqipëria iu largua modelit autoritar të së kaluarës për të ndërtuar një sistem penal mbi vlera liberale dhe demokratike. Drafti aktual, sipas tij, nuk ka një pikënisje të tillë morale dhe nuk përfaqëson zhvillimin e vlerave shoqërore.
Prokurori i Përgjithshëm e cilëson të papërshtatshme mënyrën si po operohet me miratimin e draftit, duke e konsideruar procesin e konsultimit publik si formal dhe të padobishëm për shkak të natyrës së ndërlikuar të një Kodi të ri Penal.
Ai paralajmëron se propozimet e sjella krijojnë konfuzion për magjistratët, me norma të paqarta dhe me rrezik për interpretime të ndryshme në raste të ngjashme.
Sipas tij, edhe teknika ligjore e përdorur për ndërtimin e dispozitave e bën të pamundur korrigjimin gjatë procesit të konsultimit. Ai paralajmëron se tendenca për të shpjeguar çdo interpretim të mundshëm të normës ligjore, sjell pasoja në zbatimin praktik dhe e bllokon fleksibilitetin e sistemit.
Një nga shqetësimet më serioze që ngre Çela ka të bëjë me zgjerimin e veprave penale dhe rritjen e masave të burgimit, që sipas tij “përbën një tendencë represive me ndikim negativ në jetën e qytetarëve”.
Çela paralajmëron se ka dispozita të draftit që bien ndesh me parimet e sigurisë juridike dhe të humanizmit.
Sipas Çelës, ashpërsimi i dënimeve penale nuk është përgjigjja për sfidat që kalon vendi, duke shtuar se Shqipëria tashmë ka një nga kodet më të ashpra në Evropë.
Kryeprokurori shton gjithashtu se ndryshimet në Kodin Penal duhet të ecin paralel me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, për të ruajtur balancën mes normës materiale dhe asaj procedurale. Pa këtë qasje të bashkërenduar dhe vizionare, ndryshimet penale do të jenë të paefektshme.
Prokurori i Përgjithshëm ngre shqetësimin për momentin e papërshtatshëm kur është sjellë drafti, duke theksuar se sistemi i drejtësisë po kalon një periudhë të vështirë, me mungesë stafi dhe mbingarkesë të jashtëzakonshme të dosjeve.
Ai thekson se kjo gjendje ka bërë që magjistratët të mos përfshihen realisht në procesin e konsultimit, për shkak të pamundësisë fizike dhe kohore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



