Kosova

‘Ngërçi politik të marrë fund’, Presidentja Osmani i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të sqaruar pasojat juridike nëse deputetët nuk konstituojnë legjislaturën e nëntë deri më 26 korrik, afat i paraparë në aktgjykimin e 26 qershorit të Kushtetueses.

Në një konferencë për media të martën, presidentja tha se kërkesa e dërguar në Kushtetuese nuk e përmbyll vazhdimin e afatit të mbetur prej katër ditësh për konstituimin e Kuvendit.

Osmani tha se nëse arrihet marrëveshja për konstituimin e Kuvendit, ajo do të tërheqë kërkesën e dorëzuar në kushtetuese.

Sipas Osmanit, për aq kohë sa Kuvendi vazhdon të mos konstituohet, Qeveria vazhdon të funksionojë me kompetenca të kufizuara teksa tha se edhe institucionet kyçe, përfshirë edhe Presidencën, nuk mund të ushtrojnë kompetencat për shkak të mungesës së Kuvendit. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë