Gazeta Si – Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-presidentin dhe kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili mbahet në paraburgim prej 21 tetorit 2024 për tre vepra penale.
Të pranishëm në seancë ishin prokurorët e SPAK që po hetojnë dosjen, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, ndërsa Ilir Meta nuk ishte prezent. Ai përfaqësohej nga avokati i tij, Kujtim Cakrani.
Cakrani, tha se i propozoi gjykatës çdo masë tjetër sigurie për Metën duke argumentuar se nuk ka vepër penale, teksa përdori faktin që SPAK nuk ka paraqitur ende përparimin e hetimeve ndaj Metës. Por trupa gjykuese e Apelit të Posaçëm rrëzoi kërkesën e Metës, duke e lënë në qeli ish-presidentin.
Në përfundim të seancës, Kujtim Cakrani shprehu zhgënjim nga vendimi i gjykatës, duke thënë se nuk arriti të ngrihet në lartësinë e detyrës. Ai theksoi se Meta qëndron në paraburgim pa arsye, teksa gjykatësit i konsideroi rrogëtarë.
“Kjo është drejtësi e cila i heton qytetarët dhe nuk arrin dot të përfundojë hetimet. Dy prokurorët Kraja dhe kolegu i tij nuk dhanë shpjegime edhe pasi u pyetën nga gjykata. Nuk kishin arsye reale, ne arsyet i dimë në fakt. Sot presidenti po mbahet në kushtet e një persekutimi politik. Sepse ju e dini mirë se çfarë po heq në paraburgim ku i janë mohuar të drejtat e telefonatave me njerëzit e tij. Këta nuk janë gjyqtarë, por rrogëtarë”- u shpreh mes të tjerash avokati i Metës, Kujtim Cakrani.
Cakrani theksoi se gjykata është e bindur nga dikush tjetër, teksa i ka përmendur edhe disa vendime të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që janë në dëm të shtetit shqiptar dhe vetë drejtësisë.
I pyetur në lidhje me kontrollet në paraburgimin ku ndodhet Ilir Meta, avokati i tij tha se presidenti i PL-së nuk mposhtet pavarësisht intimidimeve dhe presioneve.
Në një reagim nga qelia, ish-presidenti tha me ironi se nuk zhgënjehet aspak nga “telenovela “Drejtësi me Regji”.
Përmes një postimi në Facebook, ai shkruan se prokurorët “as kanë patur ndonjë provë, as kanë gjetur ndonjë provë, as kanë shans të shpikin ndonjë provë, pavarësisht nga provokimet e shëmtuara edhe këtu te 313-ta”. Me këto të fundit ai i referohet faktit se është ndaluar të kryejë ushtrime në ambiente të përbashkëta për 2 javë.
Më tej, thekson se “sado t’i zvarrisin hetimet, sado të fshehin prova që rrëzojnë të gjitha mashtrimet e tyre, përballja është e pashmangshme dhe ne mezi presim të nisë gjykimi”.
Pak ditë më parë presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka bërë ankim në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë që e la atë në arrest me burg.
Kjo nuk është e vetmja kërkesë e ish-presidentit Ilir Meta për liri. Kujtojmë se ai i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese ku kërkon shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të 27 shkurtit të Gjykatës së Lartë që e la në masën e sigurisë arrest me burg si dhe prishjen e vendimeve edhe në shkallët më të ulëta, atë të Apelit të Gjykatës së Posaçme më 19 nëntor 2024 dhe të Shkallës së Parë më 20 dhe 23 tetor 2024.
Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për “korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



