Rend dhe Ligj

Vrasja e Renis Dobrës, policia zbardh dinamikën: Shkak konfliktet për drogën, autorët nuk ishin veshur si efektivë

Gazeta Si – Policia e Dibrës ka dhënë detaje për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, trupi i pajetë i të cilit u gjet më 9 korrik, në afërsi të liqenit të Ulzës.

Pas hetimit 1-javor në kuadër të operacionit të koduar “Bashkëfajësia” dhe pamjeve filmike të siguruara, rezulton se krimi i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 8 korrikut, rreth orës 22:10.

Në pranga kanë rënë dy nga autorët, ndërsa janë shpallur në kërkim dy të tjerët. Përkatësisht, Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjokaj (në pranga) dhe dy vëllezërit Kristi e Aleksandër Bushgjokaj (në arrati).

“55 vjeçari, P.Ç, banues në Tropojë, u arrestua në Golaj të Kukësit i dyshuar për “vrasje me paramendim” dhe rrëmbim personi, kryer në bashkëpunim. Shtetasi F.B, 34 vjeç, banues në Kamzë, u arrestua në Astir, i akuzuar për të njëjtën vepër penale, ndërsa u shpallën në kërkim K.B dhe A.B, vëllezërit e të arrestuarit F.B”, tha zëdhënësi i Policisë Dibër.

“Shtetasi R.D është marrë peng dhe më pas është mbytur me litar. Autorët e kanë hedhur automjetin e tij në liqen, por gjatë rënies, trupi i 23 vjeçarit ka mbetur pranë sektorit C, pa rënë në liqen”, shtoi më tej.

Autorët, theksoi ai, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie dhe nuk kanë përdorur logo apo mjete të Policisë.

Sipas forcave policore, si motiv i vrasjes dyshohen mosmarrëveshjet për aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike, mes viktimës dhe autorëve.

“23 vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani për shpërndarje droge, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal”, deklaroi zëdhënësi i policisë.

Aktualisht në komisariatin nr.6 të Tiranës janë shoqëruar edhe 4 persona të tjerë të cilët po merren në pyetje lidhur me përgjegjësinë e tyre mbi krimin e rëndë. Ndërsa për të kryer hetimet e plota, policia bëri me dije se janë sekuestruar 20 celularë, 7 automjete dhe një sasi kokaine.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë