Nga Gazeta Si- Prokurorja e Shkodrës, Elsa Gjeli, e cila u denoncua publikisht nga kryeministri Edi Rama për ndërtimet pa leje në Theth i është drejtuar me një letër KLP-së.
Gjeli kërkon nga KLP reagim publik “ndaj presionit publik, fyerjes dhe diskreditimit të figurës së Magjistratit dhe mbrojtjes së pavarësisë së Magjistratëve nga Kryeministri Edi Rama”.
Ajo shprehet se është e gatshme të përgjigjet para çdo institucioni në lidhje me akuzat ndaj saj.
“Lutem nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që: Të analizojë sjelljen e Kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve; Të shqyrtojë mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të trupës së Prokurorëve nga sulme të papranueshme politike”, thotë Gjeli, duke shtuar se KLP duhet të ndërarrë hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të Magjistratëve që ndihen të persekutuar për shkak të vendimeve të tyre të pavarura.
“Deklaroj se jam e gatshme të paraqes çdo dokument shtesë dhe të dëshmoj personalisht për ndikimin që këto deklarata kanë pasur në mjedisin tim profesional dhe emocional”, shkruan Gjeli në letrën drejtuar KLP.
Gjeli thotë se nëse një Prokuror, i cili është duke hetuar aktualisht dhe duke konkluduar se do të merren në përgjegjësi penale disa punonjës të IMT Malësi e Madhe për ndërtim të paligjshëm, në të kundërt ka kryer shkelje në drejtim të vendimmarrjes së tij të atakuar nga opinioni publik për rastin në fjalë, “do të ju lutesha dhe do ju kërkoja që të ndërmerrnin masat përkatëse ato institucione që ligjërisht kanë detyrimin të verifikojnë vendimmarrjen time”, thotë Gjeli, duke theksuar se është e gatshme të përballet me çdo pasojë të mundshme, pasi ka bindjen e plotë që vendimmarrja e saj mund dhe duhet të vlerësohet vetëm nga organet e përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligji, por jo nga institucione jashtë pushtetit gjyqësor.
“Lejimi i faktit të kundërt do të cenonte rëndë parime themelore kushtetuese”, shprehet në letër Gjeli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



