Motosport

Mekies zëvendëson Horner te Red Bull 

Drejtori i Përgjithshëm i Red Bull Racing dhe “Team Principal”, Christian Horner është shkarkuar sot nga funksionet që mbante prej 20 vitesh tek kampionët në fuqi për pilotë në Formula 1. Pozicionin e tij do ta marrë kolegu i skuadrës simotër, Racing Bulls, Laurent Mekies. Britananiku e udhëhoqi skuadrën austriake në dy dekadat e fundit, që prej debutimit në vitin 2005 deri në shndërrimin e saj në kampione të shumëfishtë për pilotë dhe konstruktorë. Zyrtarizimi u bë mesditën e sotme nga një zëdhënës i Korporatës, drejtori i së cilës, Oliver Mintzlaff bëri edhe falenderimin e rastit për punën e shkëlqyer që Christian Horner bëri gjatë 20 viteve të fundit.

Si pjesë e procesit të riorganizimit, Drejtori i Garave në Racing Bulls, Alan Permane, u promovua si “Team Principal” në të njëjtën skuadër. Aktualisht Red Bull ndodhet në vendin e 4 të klasifikimit për konstruktorë me 172 pikë (288 më pak se Mclaren kryesues). Ndërsa dy pilotët e saj janë përkatësisht në vendet 3 (Verstappen me 165 pikë) dhe 17 (Tsunoda me 10 pikë). Kujtojmë që austriakët e filluan sezonin me binomin Verstappen-Lawson, të cilin më pas e kthyen te Racing Bulls, duke marrë prej andej japonezin Tsunoda, por sërish paraqitja nuk u përmirësua.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë