Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni Europian ka publikuar raportin përfundimtar për shtetin e së drejtës në Shqipëri ku ashtu si në draft, vlerësoi punën e SPAK-ut.
Komisioni Europian thotë se SPAK tregoi vizion të shëndoshë strategjik dhe pavarësi në kontributin në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.
KE evidenton se SPAK gëzon një nivel të lartë besimi publik. Për këtë arsye Komisioni Europian ka kritika sa i takon komisionit Xhafaj, për të cilin thotë se ekzistojnë mangësi në lidhje me punën, metodologjinë dhe ndikimin e komisionit ad hoc parlamentar për thellimin e reformave për qeverisje të mirë, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin.
Edhe Marta Kos, Komisionere e Bashkimit Europian për Zgjerim kërkoi që reforma në drejtësi të mos preket.
“Rezultatet e mira të strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, janë hapa pozitivë që theksohen edhe në raportin e Parlamentit. Është jetike që Shqipëria të vazhdojë të tregojë progres konkret në fusha kyçe. Në këtë kontekst, pavarësia e strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, duhet të ruhet plotësisht. SPAK është sot institucioni më i besuar në vend. Kjo duhet mbrojtur dhe forcuar”, tha Marta Kos.
Komisioni Europian përsërit shqetësimin e shprehur më herët dhe për emërimet e anëtarëve jo-magjistratë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të cilët zgjidhen nga parlamenti.
Po ashtu vihet në dukje se mangësitë vazhdojnë në praktikë dhe në kuadrin ligjor për procedurën e emërimit të anëtarëve jo-magjistratë në KLGJ dhe KLP, të cilët nuk i nënshtrohen të njëjtave standarde për kontrollin e të kaluarës dhe deklarimin e pasurisë si anëtarët magjistratë, gjë që ndikon në transparencën dhe meritokracinë e procesit.
Për përceptimin e korrupsionit, KE ka shtuar Barometrin Special të vitit 2025, që nuk ishin në draftin paraprak, që tregon se 86% e të anketuarve shqiptarë e konsiderojnë korrupsionin të përhapur në vendin e tyre (kur mesatarja e BE-së është 69%) dhe 45% e të anketuarve ndihen të prekur personalisht nga korrupsioni në jetën e tyre të përditshme (mesatarja e BE-së 30%).
Raporti vëren se keqpërdorimi i fondeve publike gjatë fushatave elektorale “mbetet shqetësim”. Raporti konsideron si “shqetësim” edhe transparencën e kufizuar në prokurimet publike, veçanërisht partneritetet publike-private, ndërsa konsideron si “joefikase” mekanizmat e kontrollit dhe inspektimit të brendshëm në administratën publike.
“Rreziku i korrupsionit është i konsiderueshëm në shëndetësi, arsim si dhe brenda policisë dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës”, thuhet në raport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



