Donald Trump ka diskutuar me disa nga këshilltarët e tij mundësinë e shkarkimit të kryetarit të ‘Fed’-it, Kryetari i Rezervws Federale, Jerome Powell, pas rritjes së normës së interesit të vendosur të mërkurën.
Agjensia “Bloomberg” raporton, duke cituar disa burime, sipas të cilave Trump ka folur për këtë disa herë gjatë ditëve të fundit. Duke dëshiruar që zemërimi i Trump-it të shpërndahet, stafi i Shtëpisë së Bardhë e paralajmëroi atë se shkarkimi do të ishte një veprim katastrofal.
Burimet që folën me Bloombergun në kushte anonimiteti nuk ishin të bindura se presidenti Trump do të shkarkonte zotin Powell dhe shpresonin se zemërimi i presidentit për situatën do të fashitet gjatë pushimeve. Shtëpia e Bardhë dhe Rezerva Federale nuk kanë pranuar të komentojnë.
Shkarkimi i zotit Powell do të vinte pas disa javësh humbjesh të mëdha në tregjet e aksioneve. Të premten, aksionet mbyllën javën e tyre më të dobët që nga viti 2011, me indeksin S & P 500 që ra më shumë se 7 për qind.
Presidenti Trump ka qenë i zënë me ndryshimet në administratën e tij që nga zgjedhjet e mesmandatit në nëntor. Ai ka njoftuar largimin e Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions, shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly, Sekretarit të Burimeve Natyrore Ryan Zinke dhe Sekretarit të Mbrojtjes James Mattis.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




